Kreu i SPAK, Arben Kraja, ka bërë të ditur se përveç inceneratorit të Elbasanit, janë duke kryer hetime edhe për inceneratorin e Tiranës dhe atë të Fierit.
Sa i përket procedurave të tenderimit të inceneratorit të Elbasanit, është vënë në pranga edhe ish-ministri Lefter Koka. Koka po hetohet për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, “korrupsioni” dhe “pastrimit të parave”, të kryera sipas SPAK gjatë procedurës tenderuese për iceneratorin e Elbasanit.
Përmes deklarimeve të avokatit të tij, Koka pretendon se nuk ka përgjegjësi ligjore, dhe se çështja ka ngjyresa politike. Por sipas SPAK, në cilësinë e ministrit të Mjedisit, Koka ka shkelur ligjin gjatë procedurës për dhënien me koncesion të iceneratorit të Elbasanit te shoqëria “Albtech Energy” dhe se ka përfituar gati 3,7 milionë euro ryshfet.
Lidhur me hetimin për nxjerrjen e të dhënave personale, kreu i SPAK u shpreh se po heton Prokuroria e Tiranës. “Nëse rezulton se janë të përfshirë subjekte që janë në kompetencën tonë, do të vihemi në lëvizje”, u shpreh kreu i SPAK.
Ndërsa lidhur me tenderat publikë, Arben Kraja tha se cilido zyrtar që abuzon do të jetë pjesë e hetimeve.
“Procedurat e prokurimit publik, ne kemi shumë procedime penale që hetojmë. Burimi i informacionit nëpër kallëzime ka nga të gjitha fushat, qoftë nga Kontrolli i Shtetit, nga biznesmenë të ndryshëm, nga individë të ndryshëm dhe patjetër që janë vlerësuar të gjitha. Besoj rezultatet janë publike. Ne kemi çuar për ndjekje penale dhe jemi në pritje të një vendimi gjyqësor për strukturën më të lartë shtetërore që merret me menaxhimin e prokurimeve publike dhe do jemi përsëri të fokusuar. Kushdo që abuzon me fondet publike do jetë padiskutim pjesë e hetimeve tona”.