Kreu i SPAK, Arben Kraja, duke folur në konferencën “Sfidat dhe mundësitë në luftën kundër korrupsionit dhe forcimim e integritetit”, deklaroi se “po shohim çdo ditë raste gjyqtarësh e prokurorësh të përfshirë në korrupsion, apo krim të organizuar” dhe shtoi se “ndëshkueshmëria e tyre duhet të jete një vijë ndarëse për gjithë pjesën tjetër që është në sistem”.
“BKH është elementi kyç i strukturës. Grupi i parë i hetuesve në fillim të muajit gusht do të jenë të gatshëm të nisin detyrën. Mosndëshkueshmëria ka ardhur nga mosfunksionimi i sistemit. Po shohim çdo ditë raste gjyqtarësh e prokurorësh të përfshirë në korrupsion, apo krim të organizuar. Ndëshkueshmëria e tyre duhet të jete një vijë ndarëse për gjithë pjesën tjetër që është në sistem”, tha Kraja.
Sipas tij, “kërkohet më shumë evidentim i shkeljeve në përdorimin e fondeve publike. Është përparësi e jona që vlerësohet çdo ditë dhe shumë shpejt do të kemi rezultate konkrete. Jemi të bindur që gjithçka po e bëjmë për të mirën e vendit, të zhduket imazhi i vendit ku mund të investohet”.
Kryeprokurori Kombëtar Kundër Korrupsionit (DNA) i Rumanisë, Crin Bologa u shpreh se në vendit e tij janë dërguar në gjykatë dy kryeministra, 80 deputetë dhe dhjetëra kryetarë bashkish.
“Për të qenë të suksesshëm në luftën ndaj korrupsionit janë pavarësia dhe specializimi i prokurorëve”, tha Bologa.