Pastori Akil Pano i bëri thirrje Presidentit Bajram Begaj që të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të trajtuar çështjen e krijimit të shtetit sovran Bektashian në Tiranë.
“Kushtetuta jonë e ka të përkufizuar që Shqipëria është territor i pandarë. Duhet të ndryshojë Kushtetuta, prandaj kjo histori nuk përfundon brenda muajit apo 6 muajve. Nuk ka të bëjë vetëm me shkeljen e Kushtetutës, por është një ide për copëzimin e Shqipërisë. Krijohet një precedent tjetër, që nëse Shqipëria do të krijojë një shtet brenda territorit të saj, çfarë ndodh me jugun e Shqipërisë? Minoritarëve i lind e drejta që të kërkojnë ndarjen”, deklaroi Akil Pano në A2 CNN.
“Cenimi i territorit është tradhti kombëtare! Duhet që të trajtohet nga komisione që merren direkt me sulmet ndaj Kushtetutës dhe Atdheut. Presidenti i Republikës duhet të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për ta trajtuar këtë çështje. Me vendosjen e një shteti brenda shtetit, qoftë edhe fetar, hapet një paradigmë ndërkombëtare që e vendos Shqipërinë në një raport tjetër me Iranin dhe Turqinë, me vendet ku ka bektashianë. Në Iran janë me miliona bektashianë dhe qendra politike e kësaj popullsie vendoset në Shqipëri”, theksoi pastori Akil Pano.