Një tjetër krimi i rëndë trondit vendin pas ngjarjes në Shkodër. Një burrë vrau gruan me sëpatë dhe më pas i dha fund jetës, duke u vetëvarur këtë të hënë në fshatin Dragostunjë të Librazhdit.
Viktimë nga kjo ngjarje e rëndë ka mbetur 53-vjeçarja Menturie Bici dhe Qemal Bici, 56-vjeç.
Mësohet se në momentin e krimit, çifti i bashkëshortëve ishte vetëm në shtëpi. Kanë qenë fëmijët, të cilët kur janë kthyer në banesë, kanë gjetur nënën e tyre të vrarë dhe më pas të atin të varur në një pemë.
Shkaqet e kësaj ngjarje tragjike momentalisht janë të panjohura.
“Në fshatin Dragostunjë, Librazhd, në banesë shtetasi Q.B., rreth 56 vjeç, në rrethana ende të paqarta dyshohet se ka vrarë me mjet të mprehtë (sëpatë) bashkëshorten e tij shtetasen M.B., rreth 53 vjeçe dhe më pas ka varur veten. Grupi hetimor nën drejtimin Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe po punohet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, tha Policia e Elbasanit në një njoftim paraprak për mediat.