Viti që po lëmë pas do të linte jo pak, por 63 viktima dhe 10 të plagosur nga 57 vrasje të ndodhura në total.
Statistikat e Policisë tregojnë se numri i ngjarjeve kriminale vijon të jetë në rritje nga viti në vit.
Nga të dhënat e siguruara rezulton se këtë vit janë regjistruar 12 vrasje më shumë se në 2018-ën, i cili e mbylli vitin me 45 vrasje.
Vetëm këtë vit, mësohet se nga 57 vrasje, 14 prej tyre kanë qenë krime në familje, 13 vrasje me dashje, 17 me paramendim, si dhe 13 vrasje të tjera të ndodhura në rrethana të tjera cilësuese.
Ngjarje jo pak të bujshme, përveç atyre të ndodhura mes bandave kriminale, do të ishin edhe ato që kanë prekur njerëz të sistemit të drejtësisë, si atentati ndaj prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja, vetëm me një autor të arrestuar sit ë dyshuar, Redjan Rrajën, si dhe atentati me tritol ndaj prokurorit të Vlorës, Albert Kuliçit.
Ndërkohë, nga 57 vrasje të ndodhura përgjatë 2019-ës, policia do të zbardhte vetëm 40 prej tyre, me 66 autorë të dyshuar, nga të cilët 43 janë arrestuar, e ndërsa pjesa tjetër vijojnë të jenë në kërkim.
Ngjarjet në 2019-ën
57 vrasje
63 viktima
10 të plagosur
14 vrasje në familje
13 vrasje me dashje
17 vrasje me paramendim
13 vrasje në rrethana të tjera cilësuese