Aktualitet Krimet online, Balla pret drejtorin e TikTok: Urgjente një vëmendje të shtuar...

Krimet online, Balla pret drejtorin e TikTok: Urgjente një vëmendje të shtuar postimeve në gjuhën shqipe

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, priti sot në një takim Drejtorin e TikTok për Politikat Publike dhe Marrëdhëniet me Qeverinë për Evropën Qendrore dhe Lindore, Jakub Olek.

Gjatë takimit, ministri Balla i shprehu Olek shqetësimet mbi ngjarjet e fundit dhe nevojën për të rritur vigjilencën kundër dhunës, dezinformimit, shantazheve e gjuhës së urrejtjes online.

Gjithashtu, gjatë takimit Balla ka kërkuar edhe informacion të detajuar mbi ruajtjen dhe përdorimin e të dhënave personale të përdoruesve.

Drejtuesi i TikTok, i cili bashkë me ekipin e tij, gjatë ditës së sotme, do të takohet edhe me përfaqësues të Policisë së Shtetit dhe agjenci të tjera, më informoi mbi masat që është duke ndërmarrë për të rritur nivelin e moderimit të postimeve në gjuhën shqipe dhe mbi mundësitë që ofron aplikacioni për denoncimin e rasteve dhe kontrollin prindëror mbi postimet e fëmijëve.

“I kërkova kompanisë TikTok vendosjen e pikave të përhershme të kontaktit me Policinë e Shtetit dhe përgjigje sa më të shpejtë mbi rastet e denoncuara prej tyre. Është urgjente një vëmendje të shtuar sa i përket kontrollit të postimeve në gjuhën shqipe, pamundësimit të përdorimit të këtij rrjeti për veprimtari apo promovim të sjelljeve të paligjshme, domosdoshmëria e verifikimit të moshës dhe identitetit të përdoruesve, monitorimit të kohës së qëndrimit, monitorimit prindëror me qëllim shmangien e varësisë tek fëmjët dhe adoleshentët, si dhe nevoja e ngritur edhe nga Parlamenti Europian për monitorim të detajuar gjatë periudhave zgjedhore për të shmangur dezinformimin dhe ndërhyrjet në procesin zgjedhor. Ministria e Brendshme po studion me vëmendje përmirësimet ligjore të ndërmarra edhe nga Bashkimi Europian, siç janë Akti i Shërbimeve Digjitale, Akti i Tregjeve Digjitale etj., me qëllim krijimin e një hapsire digjitale në Shqipëri ku të drejtat dhe detyrimet themelore të përdoruesve janë të mbrojtura dhe të përcaktuara qartë”, tha ministri Balla.