Në prezantimin e raportit për punën e SPAK gjatë vitit 2023, kreu i kësaj strukture Altin Dumani e ka konsideruar krimin e organizuar shqiptar ndër më të fuqishmit në botë.
Në fjalën e tij, ai tha se pavarësisht këtij fakti, masat e arrestit në burg zënë 49% të totalit.
“Paçka se hetojmë krimin e organizuar, sot për të qenë realist ndër më të fuqishmit në botë dhe një nivel të sofistikuar subjektesh, masa e arrestit në burg në kërkesat tona zë vetëm 49% të totalit për të cilat është kërkuar një masë sigurie. Aktualisht, numri total i të paraburgosuve nëpër institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale nga SPAK zënë vetëm 8.5% në raport me numrin e përgjithshëm të të paraburgosurve në Shqipëri”, tha ndër të tjera Dumani.
Dumani, ka treguar se qytetet më problematike përsa i përket numrit të vrasjeve janë Durrësi, Fushë-Kruja, Fieri, Vlora, Shkodra dhe Elbasani.
Komentet Dumani i bëri gjatë fjalës së tij në raportimin për punën e Prokurorisë për vitin 2023 në Kuvend.
Dumani tregoi gjithashtu se trafiku i narkotikëve është problematik në qytetet si Durrësi, Vlora, Gjirokastra, Fieri dhe Kurbini.
Ai tha gjithashtu se grupet kriminale shqiptare në mbarë botën janë sofistikuar dhe kanë marrë pozicion dominues edhe në tregtinë e kokainës.
“Lidhur me tipologjinë, hetimet e 2023 tregojnë se grupet kriminale janë sofistikuar në trafikun e drogërave të forta dhe duke pasur pozicion dominues edhe në trafikun e kokainës. Duhet cilësuar si shqetësim edhe veprimtaria e grupeve kriminale që operojnë përmes call centerave, duke mashtruar shtetasit e BE.
Analiza e tregjeve kriminale në Shqipëri tregon një situatë shqetësuese në qytete si Vlora, Fieri, Elbasni, Tirana, Durrësi, Gjirokastra, Shkodra, Kurbini dhe Fushë-Kruja. Në Tiranë dhe qytetet bregdetare grupet merren kryesisht me pastrimin e parave, ndërsa trafiku i narkotikëve është shfaqur problematik në Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fier dhe Kurbin.
Vrasjet dhe tentativat për vrasje janë më të shpeshta në Durrës, Fushë-Krujë, Fier, Vlorë, Shkodër dhe Elbasan. Në Fushë-Krujë është e pranishme tregtia e armëve, lëndëve shpërthyese dhe makinave të vjedhura që përdoren në ngjarje kriminale”, tha Dumani.