Në kuadër të implementimit të regjimit të posaçëm “41 bis”, që do të mundësojë një standard izolimi dhe siguri më të madhe për kokat e krimit të organizuar, ishte i ftuar në Tiranë prokurori i Antimafias italiane Federico Cafiero De Raho.
Prokurori i antimafias italiane deklaroi se Shqipëria dhe Italia kanë krijuar skuadra të përbashkëta për të luftuar organizatat kriminale.
Ai tha se kriminaliteti shqiptar bashkëpunon me Ndrangheta, e cila nxjerr 30 miliardë euro në vit nga trafiku i kokainës
“Kriminaliteti shqiptar ka lidhur marrëveshje punojnë shpesh në një territor të tërë europian, në portet e Europës së Veriut. Ndrangheta dhe ato shqiptare marrin sasi të mëdha kokaine të cilat më pas përkthehen në pasuri. Në Itali bashkëpunon me Ndranghetën e cila nxjerr të paktën 30 miliardë euro në vit me trafikun e kokainës“, tha Federico Cafiero De Raho.
De Raho foli për një bashkëpunim të mirë, ndërsa theksoi se policia gjyqësore shqiptare është në gjendje të bashkëpunojë në mënyrat më të mira pa bërë që të rrjedhë ndonjë informacioni.
“Kemi ngritur skuadra hetimore të përbashkëta për të luftuar së bashku organizata kriminale shqiptare që zhvillon aktivitetin qoftë në Itali qoftë në Shqipëri”, tha ai.
Regjimit i posaçëm “41 bis”
Prokurori italian shtoi se “41 bis” është i nevojshëm “në mënyrë të tillë që subjekteve drejtuese t’i pengohet mbajtja e komandimit të grupit të strukturuar nga brenda. Ky trajtim gjithashtu duhet të shërbejë si shembull për të tjerët dhe nëpërmjet informacioneve të marra nga monitorimi i vazhdueshëm mund të ndihmohet dhe mbledhja e provave për zhvillimin e mëtejshëm të hetimeve në favor të Prokurorisë”.
Cafiero de Raho vlerësoi bashkëpunimin e institucioneve italiane me ato shqiptare për “të luftuar së bashku organizatat kriminale shqiptare që operojnë në Itali dhe në Shqipëri” dhe se “format e kooperimit janë gjithnjë e më të përparuara dhe këto forma kooperimi të avancuara sjellin dhe shkëmbimin e menjëhershëm të informacionit midis palëve”.