Papa Françesku ka denoncuar përpjekjen e BE-së për të zëvendësuar termin “periudhë e Krishtlindjeve” me “periudhë festash”, duke thënë se ishte një lëvizje që mund ta kishte bërë një regjim shtypës.
Komisioni Europian, javën e kaluar, bëri një ndryshim në zëvendësimin e gjuhës, pas një reagimi publik, përfshirë edhe nga Vatikani. Gjatë një fluturimi nga Qiproja, Papa Françesku deklaroi se kjo ide ishte e keqkëshilluar.
“Në histori, shumë, shumë diktatura janë përpjekur ta bëjnë këtë. Mendoni për Napoleonin… për diktaturën naziste, atë komuniste… është moda e sekularizmit të zbehur… Por kjo është diçka që, gjatë gjithë kohës, nuk ka funksionuar”, u tha Papa gazetarëve.
“BE-ja duhet të jetë e kujdesshme që të mos marrë rrugën e kolonizimit ideologjik, pasi përndryshe ajo do të shkaktojë vetëm ndarje midis anëtarëve të saj, duke çuar në rënien e të gjithë bllokut”, theksoi Ati i Shenjtë.
“Bashkimi Evropian duhet të respektojë çdo vend siç është i strukturuar brenda, shumëllojshmërisë së vendeve, dhe të mos dëshirojë t’i bëjë ato uniforme”, tha Papa Françesku.
Rezoluta për të ndryshuar formulimin ekzistues u shfaq në një udhëzues mbi komunikimet gjithëpërfshirëse që këshillonte zyrtarët e BE-së se si t’i bënin mesazhet e tyre më të përshtatshme për grupet e pakicave.
“Krishtlindja” u konsiderua e papërshtatshme sepse adhuruesit e feve të tjera përveç krishterimit mund ta mos e pëlqenin atë.