Opozita greke ka reaguar fuqishëm ndaj veprimeve të para të qeverisë së re konservator, të Kyriako Mitsotakis, një prej të cilave ishte publikimi i qarkores, me anë të së cilës Ministri i Punës, Janis Vroutsis anulloi dhënien e Numrit të Regjistrit të Sigurimeve Shoqërore (AMKA) tek emigrantët, refugjatët, azilantët dhe fëmijët e pashoqëruar të ardhur nga vendet e treta.
Bëhet fjalë për një vendim të marrë nga qeveria e mëparshme e Tsipras, e cila duke ju dhënë këtë numër të sigurimeve shoqërore, i lehtësonte gjithë kësaj kategorie njerëzish, të pajisur me leje qëndrimi, mundësinë për tu kuruar, dukë kryer vizitë falas në spitale, si dhe punësim.
Madje ky vendim ishte aprovuar nga të Majtët, disa javë para zgjedhjeve parlamentare dhe përmirësonte ligjin e vitit 2009, për emigrantët e vendeve të treta, duke hequr vonesat burokratike.
“Nuk mund të hyjë kushdo në Greqi”, ka deklaruar Ministri i Ri i Punës, pas këtij vendimi.
Fillimi i qeverisë Mitsotakis të kujton veprimet e Kryeministrit Hungarez, Orban dhe jo të një partie liberale të qendrës së djathtë ka deklaruar Zv/Presidenti i Parlamentit Europian, Dhimitris Papadhimoulis, pasi ky vendim prek kryesisht refugjatët e ardhur kohët e fundit, nga vendet e Lindjes se Mesme,por ata emigrantë që për arsye të ndryshme nuk e kanë marre numrin e regjistrit në fjalë.
Ndërkohë opozita greke ka reaguar ashpër edhe për njohjen nga ana e qeverisë Mitsotakis të liderit të opozitës në Venezuelë, Juan Guaido, si President i përkohshëm, duke e quajtur këtë akt të papërgjegjshëm, që dobëson rolin e Greqisë në BE, si urë për dialog dhe ndërmjetësim me vendet e treta.
Gjithashtu reagime ka pasur edhe për vendimin e kabinetit Mitsotakis, sipas të cilit janë kaluar tek zyra kryeministrore shërbimet dhe përgjegjësitë e Radiotelevizionit shtetëror, “ERT”, Agjencisë Shtetërore të Lajmeve AMNA dhe Shërbimit Informativ Kombëtar “EYP”, ndërkohë që burime qeveritare shprehen se kabineti i ri do të punojë për ti bërë këto institucione krejtësisht të pavarura nga partitë.