Lionel Messi është ende duke pritur për golin e tij të parë me fanellën e PSG-së. Zëvendësimi i tij në pjesën e dytë të duelit me Lion është një dëshmi e qartë se Mauricio Pochettino pret paraqitje shumë më të mira nga bashkatdhetari i tij.
Drejtuesit e klubit i dërguan një mesazh të qartë Pochettinos se kjo nuk duhet të përsëritet. Sidoqoftë, pavarësisht nga mbrojtja që Messi ka prej krerëve të lartë të PSG, është e qartë se ai është larg formës së dëshiruar. Argjentinasi humbi një shans 100 për qind të pastër, pas pasimit brilant të Neymar, pati disa përpjekje të tjera të pasuksesshme dhe iu afrua më shumë golit nga një goditje dënimi, kur përpjekja e tij përfundoi në traversën e portës së Lion.
Francezët nuk janë të impresionuar nga ajo që shohin nga gjeniu argjentinas në fushë, kështu që gazeta “Le Parisien”, në analizën e ndeshjes së “Parce des Princes” sulmoi ashpër ish-lojtarin e Barcelonës: “Për të, eksperienca në Paris do të jetë një sfidë shumë më e madhe nga sa e mendonte, sepse do të duhet të bëjë çmos për t’iu lënë përshtypje të mira njerëzve. E vërteta është se Leo Messi aktualisht është një kopje e zbehtë e lojtarit që ishte brilant te Barcelona. E shohim gjithnjë e më shpesh me kokën ulur, pjesën më të madhe të kohës e kalon duke ecur në fushë në vend që të vrapojë. Ai nuk ka ndikim në lojën e PSG, sikurse ndodhte te Barcelona”.