Ligjvënësit britanikë dështuan përsëri të gjenin gjuhën e përbashkët, mbi propozimet për hapat e ardhshëm që do të ndërmerren në procesin e shkëputjes nga Bashkimi Europian.
Dhoma e Komunëve votoi mbi 4 alternativa të planit të Theresa Mayt për tërheqjen nga blloku, por asnjë prej tyre nuk mori dot shumicë votash. I zemëruar nga mungesa e vullnetit të partisë së tij për kompromis, deputeti konservator Nick Boles dha dorëheqjen.
May, tani do të mbledhë kabinetin për të vendosur sesi do të veprohet më tej. Britania e Madhe ka kohë deri më 12 prill të kërkojë shtyrje të “Brexit”-it ose të vendosë largimin pa marrëveshje.
Në Europë, ky i fundit konsiderohet edhe si skenari më i mundshëm nisur nga ngërçi i madh që është krijuar.
“Mbretëria e Bashkuar përballet me humnerën”, paralajmëroi koordinatori i PE-së për “Brexit”-in, Guy Verhofstadt, pas votimit të fundit në Londër. Një shkëputje e vështirë tani, sipas tij duket gati e pashmangshme.
Europarlamentari gjerman, Jens Geier tha se në Parlamentin britanik ka një vetëbllokim qesharak dhe se Brukseli do të bjerë dakord me një zgjatje të afatit të “Brexit”-it përtej 12 prillit, vetëm nëse do të ketë një referendum të dytë.
BE-ja ka thirrur një samit urgjent më 10 prill dhe paralajmëron se, pa një plan, Britania rrezikon që dy ditë pas kësaj datë t’i ndërpresë në mënyrë të beftë marrëdhëniet me partnerin e saj më të madh tregtar, gjë që do të shkaktonte probleme të mëdha ekonomike.