Zyrtarë të lartë evropianë vizitojnë të martën kufirin greko-turk, mes shqetësimeve për krizën e re të refugjatëve që po përpiqen të hyjnë në BE.
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, shpreson të sigurojë mbështetje për ashpërsimin e politikave të mbrojtjes kufitare. Sipas të dhënave, të paktën 24 mijë emigrantë sirianë janë përpjekur të hyjnë në vend që prej së shtunës.
“Greqia nuk mund të shantazhohet në këtë mënyrë. Mendoj, se fakti që do të kemi lidershipin evropian këtu, tregon se BE-ja e mbështet këtë lloj politike. Unë nuk do të lodhem së kujtuari se kufijtë e Greqisë janë edhe kufijtë e Evropës”, tha Kyriakos Mitsotakis.
Turqia vendosi të hapë kufijtë, pas vrasjes së 33 ushtarëve turq në Siri, ku po përpiqet të krijojë një zonë të sigurtë për risistemimin e miliona emigrantëve sirianë që gjenden në territorin turk për shkak të luftës civile.
Austria sulmon Turqinë
Kryeministri austriak, Sebastian Kurz, akuzoi presidentin Rexhep Taip Erdogan se po i përdorte emigrantët si gurë shahu dhe njoftoi se kishte fuqizuar masat në kufi
“Ky është një sulm i Turqisë kundër BE-së dhe Greqisë. Po përdoren qenie njerëzore për t’i bërë presion Europës”, deklaroi kreu konservator gjatë një konference për shtyp për situatën në Siri dhe në kufirin greko-turk.
Kurz theksoi se dëshiron që zyrtarët europianë t’i rezistojnë këtij veprimi të organizuar me vetëdije nga presidenti turk Erdogan, i cili, sipas tij, po i përdor azilkërkuesit si armë.
Lideri i së djathtës austriake e përshkroi situatën në kufirin greko-turk si një provë të vërtete për Europën dhe kërkoi forcimin e mbrojtjes së kufijve të jashtëm të BE-së.
Kritika edhe për Greqinë
Edhe Greqia po kritikohet për mënyrën se si po e menaxhon krizën. Një ditë më parë, një video që bëri xhiron e rrjetit tregonte se si roja bregdetare greke shtynte me forcë e qëllonte me armë zjarri për të larguar një gomone me emigrantë sirianë.
Greqia bllokoi për një muaj kërkesat për azil, por Këshilli për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara tha se nuk ka justifikim ligjor për ta bërë këtë. Organi më i lartë evropian për të Drejtat e Njeriut dënon si Ankaranë, ashtu edhe Athinën, për atë që e quan krizë të paprecedentë humanitare.
Një fëmijë humbi jetën të hënën, pasi gomonia ku gjendej bashkë më persona të tjerë u përmbys pranë bregut në ishullin e Lesbosit.