Kur nuk di më tej, mbledh njerëzit gjithandej! Një grup pune, kjo është përgjigja e vakët e NATO-s ndaj kritikave të fundit të ashpra që erdhën nga Franca, ku Macroni e quajti NATO-n të vdekur klinikisht.
Bernd Riegert, DW
Dy javë para festimeve të 70-vjetorit të NATO-s në Londër, ministrat e Jashtëm të NATO-s, diskutuan për krizën e NATO-s pas kritikës nga Franca, se NATO është në “vdekje klinike”. Me një propozim për një grup pune për të diskutuar për NATO-n, ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas kërkon të nivelojë diferencat brenda NATO-s.
NATO ka pasur disa herë kriza të qenësishme politike në 70-të vitet e ekzistencës së saj. Gjithmonë aleanca ia ka dalë të kapërcejë përçarjet të lindura nga grindja për rolin e detyrat e saj, për solidaritetin dhe financimin, ose si pas Luftës së Ftohtë të gjejë sërish vetveten. Pas krizave ridel në pah bindja, se aleanca mbrojtëse duhet të vazhdojë të ekzistojë në interes të të gjithë anëtarëve të saj. Në këtë kuptim, aleanca është “një model suksesi”, në këtë pikë ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas ka të drejtë. Një model suksesi që duhet ruajtur, se pa partneritetin transatlantik nuk është e përfytyrueshme siguria e Europës dhe Amerikës Veriore për një kohë të gjatë.
Para 50 vjetësh gjendjen e NATOS-s e rëndoi grindja mes SHBA e Francës për shpërndarjen e pushtetit brenda aleancës. Para 25 vjetësh ishte në fokus një çështje ekzistenciale, nëse ende është e nevojshme NATO-ja pas prishjes së Paktit të Varshavës. Para 15 vjetësh ishte lufta e Irakut e presidentit George W. Bush, që e ndau aleancën. Lista mund të vazhdohet më tej.
Sot NATO është përfshirë nga një dyshim i thellë që ekziston mes SHBA-së të Donald Trumpit dhe shumicës së europianëve. Ishte Donald Trump ai që e quajti aleancën të panevojshme, sepse kushton shumë. Ndërkohë duket se ai e ka kuptuar, që premtimi i angazhimit në rast nevoje i shkon në favor edhe SHBA , sepse i lidh europianët me Uashingtonin. Kritika e presidentit francez, Emmanuel Macron, se NATO ndodhet në “vdekje klinike” është shprehje e një zhgënjimi të thellë. Macron e ndjen, se europianët mbeten nën mundësitë e tyre, dhe se pa nevojë e lejojnë veten të ngacmohen kaq keq nga presidenti Trump.
Dialogu si rrugëdalje?
Diplomatët në qendrën e NATO-s janë vërtet të lënduar nga kritika e fortë, por amerikanët duket se kanë kuptuar: “Ndoshta duhen trazira nganjëherë. Tani duhet të flasim”. Kështu i përmblodhi ambasadorja amerikane në NATO, Kay Bailey Hutchison reagimet pas deklaratës së Macron. Dialogu për një koordinim politik më të mirë brenda NATO-s mund të fillojë…
Sërish…sepse marrëdhënia mes partnerëve transatlantikë ka qenë herë pas here objekt i debateve dhe reformave. Në këtë kuptim Emmanuel Macron me impulsin që dha ka pasur të drejtë. Një provokues destruktiv si Donald Trumpin duhet ta provokosh që të arrish reagimin e dëshiruar. E paqartë është, se sa e qëndrueshme do të jetë kjo pikënisje e Macron. Neser apo pasnesër Donald Trump mund ta ndërrojë sërish mendimin papritur. Një shembull: Në fillim ai donte ta shkatërronte anëtaren e NATO-s, Turqinë ekonomikisht pas ndërhyrjes ushtarake kundër së drejtës ndërkombëtare në Sirinë veriore. Pas disa ditësh Trump dhe presidenti turk, Erdogan ishin prapë miqtë më të mirë, që tani bashkëpunojnë në Sirinë veriore pikërisht me Rusinë.
Më analizën e tij, që europianët duhet të bëjnë më shumë për sigurinë e tyre, sepse tek SHBA nuk mund të mbështetesh më pa kushte, presidenti francez ka të paktën pjesërisht të drejtë. Këtë e pranojnë edhe diplomatët e NATO-s. Por çfarë do të vijë pas kësaj? Një aleancë ushtarake europiane? Armatim i kombeve europiane? Kjo do të ishte një rrugë e gjatë. Europianët do duhet të mbështeten edhe për një kohë shumë të gjatë tek supremacia ushtarake amerikane.
Ombrella mbrojtëse nukleare që ofrojnë SHBA nuk ka për t’u zëvendësuar ndoshta kurrë. Pra ajo që ndihmon në këto kushte që është që të mos përçahesh e të shpresosh që Donald Trump nuk ia heq vetë prizën NATO-s. Pasi as kjo nuk përjashtohet. E presidenti francez para goditjes tjetër që do t’iu japë strukturave të NATO-s do bënte mirë, që të gjente aleatë në kohën e duhur. Të paktën të përfshihet qeveria gjermane, megjithëse duhet pranuar se është letargjike dhe hezituese. Kjo do t’i jepte kauzës më shumë peshë dhe do të ndihmonte të mos kishte shumë irritime tek anëtarët europianë të NATO-s.