Pandemia koronavirus po vendos në provë marrëdhënien mes Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe.
Brukseli kërcënoi me ndalim të eksportit të vaksinave anti-covid, ndërsa qeveria e Londrës po i mban dozat për qytetarët e saj. Kjo vonesë në dërgimin e vaksinave mund të rrezikojë planet për të rinisur udhëtimet këtë verë, me valën e tretë të koronavirusit që po detyron shumë vende të BE-së që të ashpërsojnë kufizimet.
“Jemi në krizën e shekullit dhe nuk po përjashtoj asgjë për momentin, pasi duhet të sigurohemi që europianët të vaksinohen sa më shpejt që të jetë e mundur. Jetët njerëzore, liritë civile dhe prosperiteti i ekonomisë sonë varen në të, në shpejtësinë e vaksinimit, për të ecur përpara”, deklaroi Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Europian.
Ajo kërkoi më shumë reciprocitet nga vendet që janë prodhuese të vaksinave dhe sulmoi Britaninë për mungesën e dorëzimit të dozave të AstraZeneca.
Leyen paralajmëroi masa kufizuese të tjera mbi eksportin e vaksinave nëse situata nuk ndryshon. Konkretisht, BE-ja mund të ndalojë dërgimin e dozave të Pfizer-Biontech në Britani, të cila prodhohen në Belgjikë dhe Gjermani.
BE po luan me zjarrin
Ministri i Jashtëm britanik, Dominic Raab akuzoi të mërkurën Komisionin Evropian se po luan me zjarrin me kërcënimet për të ndaluar eksportet e vaksinave anti-COVID drejt Mbretërisë së Bashkuar, duke i kërkuar presidentes Ursula von der Leyen të sqarojë deklaratën e saj.
“Jam pak i habitur nga ky debat. Është normale që Britania dhe BE-ja të bëhen bashkë për të arritur një qëllim, ndryshe nga vende të tjera me regjime më pak demokratike që përfshihen në lojëra me zjarrin”, u shpreh Dominic Raab, ministër i Jashtëm i Britanisë së Madhe.
Britania e Madhe ka nivelin e pestë më të lartë të vdekjeve nga pandemia, por ka edhe një nga proceset më të shpejta të vaksinimit mes vendeve të mëdha, me mbi 25 milionë banorë që kanë marrë dozën e parë.
Qeveria deklaron se është në rrugën e duhur për t’i dhënë dozën e parë gjysmës së qytetarëve në moshë të rritur brenda pak ditëve, duke arritur ritme shumë më të shpejta se vendet evropiane.
Bashkëpunimi me SHBA vazhdon
Në ndryshim nga britanikët, SHBA nuk preken nga kërcënimi nga Brukseli. Edhe pse vetë Shtetet e Bashkuara kanë vendosur një ndalim eksporti të vaksinave, von der Leyen e bëri të qartë se kishte reciprocitet. Ekziston një shkëmbim i gjallë transatlantik i mjeteve të prodhimit për vaksinat, tha ajo.
Komisioni i BE prezantoi në janar një mekanizëm të kontrollit të eksportit për vaksinat kundër Covid-19. Që atëherë, prodhuesve u është dashur t’i raportojnë eksportet e tyre në vendet e treta dhe të marrin aprovim për to. Por presioni politik po rritet për shkak të mungesës së vaksinave. Disa politikanë evropianë po bëjnë fushatë për një ndalim të plotë të eksporteve.