Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, deklaroi nga foltorja e Kuvendit se në Shqipëri nuk do të aplikohet ndërprerja e energjisë elektrike, si pasojë e krizës energjetike. Sipas saj, as çmimi i energjisë nuk do të pësojë ndryshim për konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël.
“Në Shqipëri nuk do të aplikohen dhe nuk janë aplikuar ndërprerje të energjisë dhe e dyta kemi mbi një vit që mbrojmë qytetarët tanë, duke mos prekur çmimin e energjisë elektrike duke e ruajtur në 9.5 dhe i kemi ofruar mbrojtje bizneseve mbi 7 mijë të lidhura me tensionin e mesëm”.
Balluku njoftoi gjithashtu se qeveria ka nisur një fushatë të efiçencës së energjisë, duke iu përgjigjur në këtë mënyrë edhe deklaratave të opozitës se 40% e qytetarëve nuk paguajnë dot energjinë.
“Sot mblidhen 99% e faturave, ky është fakt i pakundërshtueshëm që paguhet shërbimi i ofrimit të energjisë as me dhunë e as me zor se është shërbim që ofrohet pa ndërprerje dhe të thuash 40% e qytetarëve nuk paguajnë dot energjinë, duhet të kesh disa fakte. Kjo shifër i referohet një raporti të sekretariatit europian për energjinë në gusht 2022 që përcakton se një konsumator në nevojë konsiderohet në vështirësi për ngrohjen e shtëpisë. Nuk flitet për konsumatorë që nuk kanë mundësi të paguajnë faturat por nuk kanë kushtet e duhura të ngrohjes së shtëpisë. Kështu thotë raporti i sekretariatit europian për energjinë. Ne kemi nisur fushatë për energjinë edhe efiçencën të gjitha pallatet e komunizmit kanë zero kushte të efiçencës energjetike dhe kushtet e ngrohjes së kondicionerëve te këto familje, ka vështirësi. Të marrësh këtë raport dhe ta transformosh është e pavërtetë dhe kundërshtohet nga mbledhja e të ardhurave nga OSHEE”.