Kryesore Kriza energjetike, Rama kërkon ndihmë nga BE: Mos na harroni si në...

Kriza energjetike, Rama kërkon ndihmë nga BE: Mos na harroni si në pandemi

Kryeministri Edi Rama kërkoi ndihmë nga Bashkimi Evropian për të përballuar krizën energjetike.

“Ne ia kemi dalë të vazhdojmë kështu, duke mos e rritur çmimin e energjisë asnjë cent. Kemi inflacionin më të ulët në rajon. Shpresojmë që BE nuk do të bëjë gabimin e turpshëm si gjatë pandemi për krizën e çmimeve pas luftës në Ukrainë, ku nuk na dhanë vaksina. Ne jemi në zemër të BE-së”, tha Rama nga forumi strategjik i Bledit në Slloveni.

Thirrja e Ramës paraprin takimin e BE që mbahet më 9 shtator në lidhje me strategjinë që do të ndiqet për energjinë. Në këtë takim pritet dalje me një paketë mbështetëse për sektorin energjetik, sidomos për vendet e BE-së që janë prekur më shumë nga mungesa e gazit rus.

Rama tha se Shqipëria nuk ka varësi nga gazi rus, por se rritja e çmimit të energjisë në tregjet ndërkombëtare e ka prekur fort buxhetin e vendit.

Vetëm pak ditë më parë, Shqipëria importoi energji në vlerën e 7.6 mln eurove për dy ditë. Çmimet në bursat ndërkombëtare arritën kulmin ditën e shtunë, kur tejkaluan 700 euro për megavat.