Miliona njerëz në të gjithë globin do të ndiejnë ndikimin e rritjes së çmimeve të gazit natyror këtë dimër, shkruan Stephen Stapczynski për Bloomberg.
Këtë dimër, bota do të luftojë për diçka që është e padukshme, por kurrë ndonjëherë kaq jetësore dhe në sasi furnizimi kaq të reduktuara.
Shtetet janë më të varura se kurrë ndaj gazit natyror për të ngrohur shtëpitë dhe për industritë energjitike, në mes të përpjekjeve për të lënë qymyrin dhe për të rritur përdorimin e burimeve më të pastra të energjisë.
Por nuk ka gaz të mjaftueshëm për të nxitur rimëkëmbjen pas pandemisë dhe rimbushjen e stoqeve të varfëruara para muajve të ftohtë.
Vendet po përpiqen të tejkalojnë njëri-tjetrin për furnizimet, ndërsa eksportuesit, si Rusia, përpiqen për të mbajtur më shumë gaz natyror në shtëpi.
Kriza në Evropë paraqet telashe edhe për pjesën tjetër të planetit, pasi mungesa e energjisë në kontinent paralajmëron për ndërprerje dhe fabrika të detyruara për t’u mbyllur.
Inventarët në objektet evropiane të magazinimit janë në nivele historikisht të ulëta, për këtë kohë të vitit.
Rrjedhat e tubacioneve nga Rusia dhe Norvegjia kanë qenë të kufizuara.
Nuk është çudi që çmimet evropiane të gazit u rritën me gati 500 për qind vitin e kaluar dhe po tregtohen afër rekordit.
Kjo kërcënon me rritjen e kostove për fermerët dhe potencialisht me shtimin e inflacionit global të ushqimit.
Edhe një dimër normalisht i ftohtë në Hemisferën Veriore pritet të rrisë më tej çmimet e gazit natyror në pjesën më të madhe të botës.
Në Kinë, përdoruesit industrial, përfshirë prodhuesit e qeramikës, qelqit dhe çimentos, mund të përgjigjen duke rritur çmimet; familjet në Brazil do të përballen me fatura të shtrenjta të energjisë.
Ekonomitë që nuk mund të përballojnë karburantin, të tilla si Pakistani ose Bangladeshi, thjesht mund të ndalen.
Perspektiva e përshpejtimit të kostove të energjisë, së bashku me zinxhirët e shtrënguar të furnizimit dhe çmimet e ushqimeve në nivelet më të larta të dekadës, mund të bëjë që bankierët qendrorë të pyesin nëse kërcimi i inflacionit është aq kalimtar sa ata kishin shpresuar.
Në Azi, importuesit e gazit natyror të lëngshëm po paguajnë çmime rekord për këtë periudhë të vitit për të siguruar furnizimet, me disa që kanë filluar të marrin karburante më ndotëse, si qymyri dhe nafta, për ngrohje, në rast se nuk marrin gaz mjaftueshëm.
Kjo mund të minojë përpjekjet e qeverive për të arritur qëllimet ambicioze të gjelbërta.
Shërbimet në Japoni dhe Korenë e Jugut mbrohen kryesisht nga kontratat afatgjata të LNG që indeksohen në naftë.
Megjithatë, Korea Electric Poëer Co njoftoi se do të rrisë çmimet e energjisë elektrike për herë të parë në gati tetë vjet.
Konsumatorët e Energjisë Industriale të SHBA-së kanë kërkuar që Departamenti i Energjisë të zvogëlojë eksportet amerikane derisa nivelet e magazinimit të kthehen në normale, një veprim që mund të përkeqësojë mungesat jashtë vendit.
Në përfundim, këtë dimër, bota ka të ngjarë të mësojë sesa varet ekonomia globale nga gazi natyror.