Ashtu siç parashikohej, Dhoma e Komunëve refuzoi mocionin e prezantuar nga Boris Johnson për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 15 tetor.
Opozita i tha jo datës së caktuar nga konservatorët dhe miratoi projektligjin që synon të parandalojë një Brexit pa ujdi. Por, aprovimi përfundimtar i tij pritet të bëhet të premten në Dhomën e Lordëve.
Situata është tashmë në ngërç total.
Për shpalljen e zgjedhjeve, Johnson do të duhej të siguronte mbështetjen e të paktën 434 ligjvënësve, por vetëm 298 votuan në favor, 56 kundër, ndërsa laburistët abstenuan me udhëzim të Jeremy Corbin.
“Shoh që lideri i opozitës edhe një herë nuk është në vendin e tij. 48 orë më parë po drejtonte korin e thirrjeve “Ndaleni grushtin e shtetit, lëreni popullin të votojë”, ndërsa tani po thotë “Ndalini zgjedhjet, ndaleni popullin të votojë”. Mendoj se është lideri i parë i opozitës në historinë demokratike të vendit që refuzon ftesën për zgjedhje. Arsyeja është e qartë: e di se nuk do të fitojë”, tha Johnson.
Shefi i ekzekutivit britanik prezantoi mocionin për zgjedhje të parakohshme menjëherë pasi deputetët aprovuan projektligjin për të bllokuar Brexit-in pa ujdi nëse kryeministri nuk do të negocionte një marrëveshje të re me BE-në brenda 31 tetorit.
Rezultatet praktikisht certifikojnë mundjen e shumicës, por duket se kryeministri konservator nuk ka ndërmend të dorëzohet.