Për Italinë, kriza politike në Shqipëri duhet të zgjidhet nga aktorët e brendshëm. Në konferencën e përbashkët me homologun Edi Rama në Tiranë, kryeministri Guiseppe Conte kërkoi nga mazhoranca që t’i ofrojë opozitës një platformë për dialog konstruktiv. Por, theksoi Conte, dialogu duhet të zhvillohet pa kushte.
“Vëmendja jonë është e përqendruar kryesisht në aftësinë e Shqipërisë për të zgjidhur krizën e saj politike. Kjo do të përbëjë një pjekuri të saj institucionale. Është e rëndësishme që mazhoranca t’i propozojë opozitës një platformë për të qasur një dialog më konstruktiv dhe ky dialog të zhvillohet pa kushte”, u shpreh kryeministri Italian.
Sa i përket hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian, Conte theksoi se Italia e mbështet këtë proces me Shqipërinë dhe në takimin e së premtes në Këshillin Evropian do të kërkojë një vendim pozitiv për vendin tonë.
“Konfirmova se Italia e mbështet negociatat me Shqipërinë dhe ditën e premte do e mbështes këtë pozicion. Jam i bindur se çelja e negociatave është instrumenti më i mirë për përparimin e Shqipërisë. Hyrja e Ballkanit Perëndimor në BE është një objektiv thelbësor sa i përket integrimit”, tha Conte.
“Ne do të bëjmë çfarë është e mundur për të arritur këtë rezultat, për të arritur fillimin formal të negociatave”, shtoi ai.
Kryeministri italian tha se reformat të cilat i kërkohen Shqipërisë duhet të mbështeten nga të gjithë.
Investimet/ Conte: Shqipëria të përmirësojë klimën e biznesit
“Shqipëria të tregohet në lartësinë e duhur. Për Shqipërinë thelbësore do të jetë që të garantohet një përmirësim i klimës së biznesit dhe një administratë publike gjithnjë e më efikase dhe transparente që të ndërtohen ato institucione sa më të shëndetshme. Ne jemi të lumtur për bashkëpunimin mes dy vendeve edhe në aspektin kulturor. Kam pasur rastin të njoh studentë shqiptarë dhe që janë shumë të përgjegjshëm. Edhe në sektorin kërkimor do të doja të forconim bashkëpunimin që të kthehen në Shqipëri ata studentë që kanë zgjedhur Italinë për të perfeksionuar njohuritë e tyre. Unë them gjithmonë që është vërtetë e bukur që të përjetosh një eksperiencë jashtë shtetit, por do të ishte shumë bukur që studentët të kthehen në tokën e tyre të origjinës” tha Conte.