Shqipëria prej mëse tre muajsh ka hyrë në një krizë politike, e cila është shoqëruar me akte ekstreme si djegia e mandateve dhe protesta të vazhdueshme nga ana e opozitës.
Teksa, ndërkombëtarët bëjnë thuajse çdo ditë thirrje për dialog dhe kanë njohur Parlamentin e qeverinë si legjitime, duket se roli i Presidentit Ilir Meta do të jetë jetik në tejkalimin e ngërçit aktual.
Në kulmin e krizës duket se kanë nisur lëvizjet nën rrogoz. Gazeta “Panorama” shkruan se ditën e djeshme në zyrën e Presidentit ka shkuar kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Kreu i Shtetit ka pasur një takim “kokë më kokë” me liderin e opozitës, por takimi ka qenë tepër konfidencial dhe palët janë munduar t’ia fshehin medias.
Megjithatë, mësohet se pjesë e diskutimit ka qenë kriza politike si dhe djegia e mandateve nga ana e opozitës.
Meta në njërin krah ka bërë thirrje për dialog mes palëve dhe ka hedhur në arenën e fushë-betejës idenë për ‘vetësakrifikim” politik në të mirë të Shqipërisë, ndërsa ka theksuar se Rama dhe Basha duhet të bëjnë hapa pas për zgjidhjen e krizës.
Ndërkohë bashkëshortja e tij, kryetarja e LSI. Monika Kryemadhi dhe aleati i saj Lulzim Basha iu përgjigjën deklaratës së Presidentit duke thënë se nuk do të ketë hapa pas.