Bota Krizë diplomatike Angli-Greqi për mermerët e Partenonit, Sunak anulon takimin me Mitsotakis

Krizë diplomatike Angli-Greqi për mermerët e Partenonit, Sunak anulon takimin me Mitsotakis

Veprat e artit, të mbajtura në Muzeun Britanik, janë "në thelb të vjedhura", tha Mitsotakis për televizionin BBC. Kryeministri Rishi Sunak i irrituar anuloi samitin në minutën e fundit

Është një krizë e plotë diplomatike ajo që shpërtheu mbrëmjen e të hënës (27 nëntor) mes Britanisë së Madhe dhe Greqisë.

Në qendër është mosmarrëveshja shekullore mbi mermerët e Partenonit, të mbajtura në Londër nga Muzeu Britanik dhe të pretenduara nga Athina.

Kryeministri britanik anuloi në minutën e fundit një takim me kolegun e tij grek, Kyriakos Mitsotakis, i cili ishte në Londër për një vizitë tre-ditore.

Rishi Sunak, me sa duket, ishte “irrituar” nga një intervistë e dhënë për BBC nga kryeministri i Athinës, i cili pohoi se mermerët e Partenonit janë “në thelb të vjedhura” dhe se t’i kesh ato në Londër, është si, “nëse Mona Lisa do të pritej në dy pjesë dhe një gjysmë e saj do të ishte në Luvër, ndërsa gjysma tjetër në Muzeun Britanik”.

Burimet e qeverisë britanike pohojnë se grekët kanë marrë përsipër që të mos e ngrenë këtë çështje gjatë vizitës në Londër.

Nga këtu u vendos si rrjedhojë anulimi i samitit mes kryeministrave dhe oferta në vend të takimit me zëvendëskryeministrin Oliver Doëden.

Por Mitsotakis ishte “i habitur dhe i mërzitur” dhe vendosi të kthehej shpejt në Athinë në orët e ardhshme: “Ata që besojnë me vendosmëri në drejtësinë dhe korrektësinë e pozicioneve të tyre, – u përgjigj ai i mërzitur, – kurrë nuk hezitojnë të përfshihen në argumente dhe debate konstruktive”. Ndarja ndodhi në një kohë kur dukej se kishte pasur njëfarë progresi në zgjidhjen e mosmarrëveshjes.

Statujat që zbukuronin Partenonin u sollën në Londër në fillim të shekullit të 19-të nga Lord Elgin: britanikët pohojnë se ato bliheshin rregullisht nga autoritetet turke që kontrollonin Greqinë në atë kohë, ndërsa për Athinën ishte një largim i paligjshëm.

Qeveria greke ka kërkuar kthimin e tyre prej dekadash, por në vitin 1963 Parlamenti i Londrës miratoi një ligj që ndalonte heqjen e objekteve të artit nga Muzeu Britanik, ku ekspozohen mermerët.

Megjithatë, kohët e fundit ideja e një huazimi afatgjatë të objekteve ka hapur rrugën e saj: skulpturat do të mbeten pronë e muzeut të Londrës, por do t’i huazohen Athinës në këmbim të veprave të tjera të lashta të artit në zotërim të Greqisë.

Është një hipotezë që u konsiderua e zbatueshme edhe nga presidenti aktual i Muzeut Britanik, George Osborne, i cili ishte Kancelar i Thesarit në qeverinë e David Cameron dhe që mbeti një mik i madh i ish-kryeministrit, që sapo është emëruar Ministër i Jashtëm nga Sunak.

Në mënyrë domethënëse, kreu i laburistëve Keir Starmer, i cili ka shumë të ngjarë të jetë kreu i ardhshëm i qeverisë dhe që u takua dje me Mitsotakis, tha gjithashtu se ishte i hapur ndaj hipotezës së huazimit.

Sunak, megjithatë, ka marrë një qëndrim të ngurtë: një përpjekje, ndoshta, për të shënuar dallimin me laburistët dhe për të hapur një front të ri në të ashtuquajturat “luftëra kulturore”.

Çështja e mermerëve të Partenonit është në fakt pjesë e debatit më të gjerë, i cili vazhdon prej disa kohësh në vendet anglo-saksone, për kthimin e veprave të artit të vjedhura gjatë periudhës koloniale në vendet e tyre të origjinës.

Por është interesante që kohët e fundit orientimi i opinionit publik ka ndryshuar dhe tani, sipas sondazheve, shumica e britanikëve janë në favor të kthimit të statujave në Athinë.

Nuk është rastësi që mëngjesin e kësaj të marte, prestigjiozja “Times”, një gazetë e moderuar, ka botuar një editorial, në të cilin mbron kthimin e mermerëve në Greqi.