Kroacia nuk e ka “gëlltitur” dot humbjen me Argjentinën në gjysmëfinalen e Botërorit të Katarit dhe drejton gishtin nga arbitri italian Orsato se me veprimet e tij ndikoi në rezultatin e ndeshjes.
Kroatët e kanë të gjithë me penalltinë që iu dha Alvarez në minutën 30 të takimit, e cila sipas tyre ishte inekzistente.
“E kam takuar shpesh dhe nuk kam pasur asnjëherë një mendim të mirë për të. Është një katastrofë. Ishim superiorë në fushë deri te penalltia, që për mua nuk ishte. Alvarez godet topin dhe më pas përplaset me portierin. Zakonisht nuk flas për arbitrat, por sot është e pamundur. Orsato është një ndër më të këqinjtë që njoh”, u shpreh kapiteni Modriç pas ndeshjes, i cili nuk harroi të uronte dhe Argjentinën.
Në të njëjtën linjë ishte dhe arbitri kroat Bruno Mari, i cili komentoi vendimet e Orsatos.
“Argjentina është favorite në këtë Botëror dhe këtë e tregoi dhe vendimi i marrë në favor të tyre në minutën e 30, pasi kjo penallti nuk ekzistonte. Livakoviç nuk bëri faull”, u shpreh arbitri.
Deklarata për favorizimin e Argjentinë pati që në ndeshjen çerekfinale ndaj Holandës, ku tulipanët akuzuan për njëanshmëri arbitrin spanjoll Mateu Lahoz.