“Nga maja e kësaj porte, protestuesit hodhën baltë mbi kokën e Mbretit Joffrey”, shpjegon Ivan Vukovik, një guidë turistike, i cili është duke treguar me gisht portën ‘Pile Gate’ në Dubrovnik, shkruan The Economist.
Në momentin që po e thoshte këtë gjë, guida po i referohej një episodi që u zhvillua në sezonin e dytë të serialit të shumëndjekur “Game of Thrones”, i përfolur për ndërthurjen e jashtëzakonshme të ngjarjeve dhe për numrin e madh të personazheve që u bënë pjesë e tij, nga ai i një xhuxhi të mençur te një princeshë që bindi tre dragonj që ishte nëna e tyre.
Qyteti i vjetër i Dubrovnikut është i njohur në rrethin e fansave të këtij seriali, duke qenë se është qyteti kryesor ku zhvillohen ngjarjet në botën imagjinare të krijuar nga Xhorxh R. R. Martin, autori i librave mbi të cilët është bazuar edhe seriali. Ushtritë e fansave të këtij seriali, të cilët duan të vizitojnë çdo vend ku janë realizuar skenat e tij, zbarkojnë çdo vit në Dubrovnik. Në vitin 2015, kryetari i bashkisë deklaroi se seriali “Game of Thrones” ishte përgjegjës për gjysmën e rritjes vjetore të turizmit në këtë qytet. Nga 18 turet që ofrohen për turistët, tetë prej tyre kanë temë “Game of Thrones”.
“Unë kisha 85 turistë në turin e orës 11:00, që kishte temë serilain ‘Game of Thrones’, ndërsa turi historik i një ore më pas, kishte vetëm 15 turistë”, shprehet tur-operatori Ivan Vukovik. Në një prej dyqaneve të zonës turistike, ku shiten imitime të objekteve të këtij seriali, turistët-fansa të tij, paguajnë 17-20 euro vetëm për të bërë një foto në Fronin e Hekurt, për zotërimin e të cilit zhvillohet edhe lufta e personazheve kryesorë të serialit. Ka edhe raste ekstreme si ai i një turisti australian, i cili teksa po ecte në shkallët jezuite të shekullit të 17 të qytetit të Dubrovnikut u qëllua me shapka nga disa prej fansave të çmendur të këtij seriali, që po imitonin një prej skenave më të famshme të filmit, duke brohoritur fjalën “Turp, turp, turp”, njësoj si në skenën e serialit.
Lokale të ndryshëm në Dubrovnik ofrojnë për turistët dhe mbi të gjitha për fansat e serialit kokteje, të cilat i kanë quajtur sipas disa prej skenave më të famshme të serialit. Dubrovniku nuk është i vetmi vend i pushtuar nga fansat e serialit “Game of Thrones”. Vitin e kaluar, një në gjashtë turistë të huaj në Irlandën e Veriut, kishte vendosur ta vizitonte këtë shtet vetëm pasi pa serialin “Games of Thrones”. Turistët shpenzuan 50 milionë paund (63 milionë dollarë amerikanë) gjatë qëndrimit të tyre, sipas të dhënave të një prej institucioneve kryesore të turizmit irlandez.
Edhe Spanja ka parë një fluks të madh turistësh, po për të njëjtën arsye.
Rritja në numrin e turistëve ndikon pozitivisht në zgjerimin ekonomik brenda vendit, por mund të shoqërohet edhe me disa elemente negative, një prej të cilëve është edhe mbipopullimi nga turistët. Për shkak të kësaj, Dubrovniku është nën vëzhgimin e UNESCO-s dhe është paralajmëruar se mund ta humbasë statusin e tij si vend i Trashëgimisë Botërore. Një punonjëse kroate në një prej supermarketeve më të frekuentuar, shprehet se shpreson që “bumi i turistëve” të bjerë sa më shpejt të jetë e mundur dhe në të njëjtën mënyrë që u shuan edhe personazhet kryesorë të serialit “Games of Thrones”. Ajo shprehet se do të jetë shumë e lumtur kur të vijë dimri dhe numri i turistëve të ulet./ Burimi: Monitor