Kruja vijon të jetë vatra e COVID-19, ku shifrat e të infektuarve flasin për rritje të të prekurve. Edhe pse në shifra të pakta, në rastet më të fundit i takojnë Krujës.
Këtë të diel u konfirmuan 4 raste të reja, një prej tyre punonjëse në një prej fasonerive dhe 3 të tjerë të afërm të të prekurve të mëparshëm. Edhe në Kurbin është shënuar një i infektuar i ri, familjar i një punonjëse fasonerie. Kruja në total shkon në 114 të prekur nga koronavirusi dhe Kurbini në 32.
Në këtë situatë ku COVID nuk po ndalet në Krujë, mjeku radiolog i spitalit të këtij qyteti, Adrian Mata në një intervistë për ABC News shprehet i shqetësuar që asnjë nga sugjerimet e tij nuk po merret seriozisht nga autoritete e larta të shëndetësisë.
Mata kërkon që të kryhen më shumë tamponë dhe mbi të gjitha të vendosen rregulla të reja për karantinimin e të infektuarve, pasi virusi po përhapet me shpejtësi dhe tek familjarët e punonjësve të fasonerive.
“Kruja po bëhet një Wuhan i vogël. Kërkoj të vazhdojnë tamponët, por ajo që unë këmbëngul dhe shikoj me problematike është karantinimi. Në një familje kur rezulton një i prekur me një dhomë dhe një kuzhinë nuk ka si mund të karantinohen të tjerët. Nga ajo familje njëri del në qytet duke thyer dhe rregullat e distancimit dhe bëhet burim vatre infeksioni”.
A parashikon mjeku shtim të rasteve me koronavirus në Krujë?
“Po, n.q.s se do ketë tamponime rastet do të jenë prezente. Po tamponohen më shumë ata që janë me probleme siç janë me temperaturë dhe dhimbje koke”.
Veç shëndetit të qytetarëve dhe imazhi i qytetit të Krujës është shumë i rëndësishëm për doktorin radiolog ndaj thekson se turizmi që është burim kryesor i ekonomisë në këtë qytete që është shndërruar në një vatër të nxehtë të COVID 19, po shkatërrohet.