Kruja mund cilësohet si Wuhani i Shqipërisë pasi pjesa më e madhe e kësaj zone është futur në karantinë. Kjo për shkak të përhapjes së virusit në masë të madhe nga një fabrikë këpucësh. Aktualisht janë mbi 600 familje që janë izoluar, ndërsa numrit të të prekurve për këtë qytet sot iu shtuan edhe 5 persona të tjerë.
“10 ditë pas shpërthimit të epidemisë nga koronavirusi në një këpucari në qytetin e Krujës, sot janë konfirmuar edhe 5 persona të tjerë, duke shkuar në 102 të infektuar”.
Deri më tani janë në karantinë të detyrueshme rreth 600 familje në të gjithë qytetin. Por vetëm në lagjen nr. 4 “Zim Zeneli”, ku është edhe fasoneria ku shpërtheu përhapja e Covid-19, janë të vetëizoluara 100 familje.
Në këtë lagje në hyrje të qytetit kanë rezultuar pozitivë disa punonjës, por edhe familjarë të tyre me të cilët kanë patur kontakte të ngushta. Drejtori i Zyrës së Mbrojtjes së Konsumatorit, Hasan Stafa, i cili është edhe banor i Krujës, ka deklaruar se problemet që ka sjell pandemia e koronavirusit janë shumë të mëdha.
Sipas tij, mijëra banorë që janë në karantinë nuk po u jepet asnjë mbështetje jo vetëm financiare, pasi 2,500 punonjës që punojnë në fasoneri nuk kanë marrë asnjë pagesë, por nuk po u ofrohet as shërbimi psikosocial. Ai ngre si shqetësim numrin e ulët të testimeve.
Qytetarët janë në panik, pjesa më e madhe e tyre lëvizin me maska. Por ankohen pasi nuk kanë përfituar pagesë, nga paketa financiare që ka akorduar shteti. Ndihma në këtë qytet ka munguar edhe për të moshuarit.
Mes të infektuarve në zonën e Krujës është shënuar dhe viktima e parë. Bëhet fjalë për një 51-vjeçarin, i cili u infektua nga bashkëshortja që punonte në këpucarinë, në lagjen nr.4. Ata banojnë në fshatin Halilaj, pak kilometra pa hyrë në Krujë. Fatmirësisht deri më tani në këtë fshat rezultojnë të infektuar vetëm ky çift. Fëmijët dhe të afërmit pas testimit kanë rezultuar negativë.
Klan Plus