Nëntë persona janë arrestuar nga policia në zonën e Krujës për kultivim të bimëve narkotike. Mes tyre është edhe një efektiv, me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Krujë. Ndërsa një person tjetër është shpallur në kërkim.
Në kuadër të operacionit të koduar “Ndëshkimi” janë ekzekutuar edhe 3 masa sigurie “Detyrim paraqitje”. Po ashtu janë sekuestruar 3 armë zjarri, 5 armë gjahu dhe municion luftarak.
Policia thotë se në zonën e pyllëzuar të fshatit Shqezë u asgjesuan fidanë kanabis të kultivuara, por nuk bëhet e ditur sasia.
Të arrestuarit
V. B., 50 vjeç, banues ne fshatin Mafsheq, Krujë.
R. B., 53 vjeç, banues në Fushë Krujë.
Sh. X., 48 vjeç, banues në fshatin Shqezë të rrethit Krujë.
M. K., 28 vjeç, banues në fshatin Shqezë të rrethit Krujë.
K. K., 46 vjeç, banues në fshatin Selitë të rrethit Kurbin.
B. I., 26 vjeç, banues në fshatin Malbardhë të rrethit Kurbin.
H. P., 52 vjeç, banues në Krujë, me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Krujë.
U bë arrestimi në flagrancë i shtetasit F. K. , 58 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Shqezë, Krujë, kapja dhe ndalimi me iniciativë i shtetasit F. B., 35 vjeç, banues në fshatin Halile, Fushë Krujë, të dy për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë”.
Në kërkim
U bë shpallja në kërkim e shtetasit A. B., banues në fshatin Halile, Fushë Krujë, për veprën penale “Kultivimi të bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armeve luftarake dhe municioneve”.
U be ekzekutimi i masave të sigurisë “Detyrim paraqitje” për tre shtetas Y. K., Xh. B dhe A. B., për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armeve luftarake dhe municioneve”.
“Nga tërësia e veprimeve hetimore e procedurale, ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim me njeri-tjetrin, kanë kultivuar bimë narkotike në një zonë të pyllëzuar të fshatit Shqezë të rrethit Krujë”, sqaron policia në njoftimin zyrtar.
Gjithashtu, gjatë operacionit, si rezultat i kontrollit të banesave të këtyre shtetasve dhe ambienteve përreth tyre, Policia gjeti dhe sekuestroi 3 armë zjarri “pushkë”, 5 armë gjahu, municion luftarak dhe 17 aparate celulare.
Vazhdon puna për dokumentimin ligjor të kësaj veprimtarie kriminale.