Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën “arrest me burg” për kryebashkiakun e Bulqizës, Lefter Alla.
Ai u arrestua nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, por bashkë me të ranë në pranga edhe 7 zyrtarë të tjerë, mes të cilëve edhe nënkryetarja e Bashkisë, Enkeleda Lleshi. Edhe për ta u la në fuqi masa e sigurisë “arrest me burg” nga gjykata.
Në seancën për caktimin e masës së sigurisë në gjykatë, Alla ka pretenduar se procesi ndaj tij është me ngjyrim politik.
Ai i konsideron politike akuzat e ngritura ndaj tij.
“Në gjykimin tim, më mirë të më thoshin hap krahun, se sa të bëhen këto gjyqe politike”, është shprehur ai.
Ata dyshohet se kanë shkelur rregullat dhe procedurat ligjore në tenderin për ndërtimin e Ujësjellësit në Bulqizë me vlerë 3.2 miliardë lekë.
E njëjta masë sigurie u caktua nga gjykata edhe për 10 zyrtarë të tjerë: Enkeleda Lleshi, Rubin Kola, Erion Isaku, Leonard Daci, Arsen Gjoka, Kujtim Zogu, Denis Xholi, Rasim Daci, Dalo. Ndërsa, Kastriot Ibrahimaj dhe Ana Nishku janë me masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Ndërkohë, SPAK ka siguruar përgjime ambientale që rëndojnë pozitat e tij. Sipas Prokurorisë së Posaçme, Alla ka pasur komunikime me biznesmenin Aqif Konesha që kryente punimet për ujësjellësin e Bulqizës. Alla, në shoqëri të tij ka udhëtuar jashtë vendit me makinë, dyshohet në drejtim të Maqedonisë së Veriut.
Mësohet se zëvendëskryetarja e Bashkisë Bulqizë, Enkeleda Lleshi, kishte dhënë më herët dorëheqje nga detyra pasi nuk donte të bëhej palë në firmosjen e tenderave, por është bindur që të rikthehet.
Me urdhër të SPAK, mbrëmjen e 15 marsit do të viheshin në pranga jo vetëm kryetari i Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla, por edhe disa zyrtarë të tjerë të kësaj bashkie, që kanë qenë anëtarë të komisioneve për tendera publikë.
Të gjithë këta persona – sipas SPAK – janë me masën e arrestit me burg dhe akuzohen për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”,“Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikim i formularëve”.