Kryetari i Bashkisë së Kuçovës, Kreshnik Hajdari rrezikon shkarkimin nga detyra pasi nuk ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit një dënim ndaj tij në Greqi në vitin 1999.
Kreshnik Hajdari është dënuar në Janinë për kalim të paligjshëm të kufirit me 4 muaj burgim, dënim i cili u konvertua në atë kohë me gjobë 1500 Dhrahmi (monedha greke para Euros).
Vendimi i dënimit nga Gjykata e Janinës ishte kërkuar nga Prokuroria shqiptare, përmes së cilës u provua se Hajdari rezulton i dënuar në shtetin grek.
Për këtë arsye, ditën e nesërme do të mblidhet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe do të shqyrtojë nëse do t’i hiqet mandati ose jo kryebashkiakut të Kuçovës.
Vepra penale për të cilën është dënuar dhe konvertuar në gjobë, kalim i paligjshëm i kufirit, nuk hyn në ato vepra që i rëndon pozitën një funksionari të lartë, por Hajdari rrezikon shkarkimin për shkak se nuk e ka deklaruar këtë dënim, ashtu siç e parashikon ligji i Dekriminalizimit.