Kryetari i Bashkisë së Shijakut, Ardian Kokomani, në një lidhje telefonike ekskluzive për RTV Ora reagon pas publikimit të audiopërgjimeve nga gazeta “Bild”. Një ndër audiopërgjimet është dhe biseda mes Astrit Avdylaj dhe Ardian Kokomani.
“U befasova. Unë e di që nuk kam komunikime të këtij karakteri. U befasova. Bëri mirë e lexova dhe vetë. Duhet ta kuptoni vetë se kryetarin e bashkisë së Shijakut e marrin në telefon dhe u thonë që nesër është në takim me kryetarin e bashkisë së Durrës, apo drejtuesin tonë të qarkut dhe deputetin e Shijakut. Janë dy figura të cilat një kryetar bashkie nuk mund ti anashkalojë kurrë. Nëse bëhet fjalë për takime”.
A ju kanë kërkuar ndihmë për të rritur në listë pozitën e kandidatit Ndraxhi. A ka pasur ndikim?
Nëse e analizoni telefonatën dhe mënyrën si zotëria në fjalë shprehet që duhet të vini me patjetër do të thotë që njeriu nuk e ka pasur aksesin drejtpërdrejtë të merret me mua, kryetarin e bashkisë së Shijakut. Nëse bëhet fjalë për aksese të tilla. Nëse bëhet fjalë për zotin Ndraxhi, është një ndër njerëzit me figurën më të mirë të Shijakut.
Por i sponsorizuar nga një person me precedent penal
Unë jam kryetari i bashkisë së Shijakut dhe nuk kam qenë as drejtues i shtabit elektoral të Shijakut kur bëhet fjalë për zgjedhjet e 2017, por dhe nuk jam njeri që vë apo heq emra nëpër lista kandidatësh, kryetarësh apo anëtarësh. Nuk jam unë njeriu sepse ne funksionojmë që PS ka drejtues qarku që merr konkluzionet dhe kush do të jetë kandidatura më e mirë për tu vënë.
Ju keni pasur dijeni se Avdylaj është person me precedent penal?
Ju e kuptoni se nuk ka akses tek mua ai njeri. Ai më thotë se nesër kam takim me X dhe X dhe duhet të jesh dhe ti. Me drejtuesin e qarkut, me zotin Dako dhe deputetin e zonës unë jam i detyruar ta takoj ditë dhe natë.
A mund të jepni detaje mbi atë që keni komunikuar në këtë takim?
Pak më parë i thashë dhe një gazetari tjetër, me 99.99 % nuk jam takuar. Nuk jam takuar kurrë.
A keni njohje personale me Avdylaj?
“Unë i njoh dhe babën atij. Ne kemi lindur këtu. Këtu jetojmë. Unë njoh të gjithë, mbi 60 % të komunitetit të Shijakut, sepse ne jemi banorë autoktonë dhe pozicionin që kam. Unë i njoh të gjithë. Mund të ngatërroj emrat, por mbiemrat e të gjithë fiseve i di dhe ku banojnë. Nuk ka lidhje me këtë.
A është e vërtetë që ju ka dhënë mbështetje Avdylaj gjatë fushatës elektorale?
Absolutisht. Në fushatën time personale, që unë kam kandiduar para 4 vitesh, Astrit Avdylaj bashkë me të tjerët kanë qenë të privuar nga liria. Nuk ka qenë pjesë e fushatës time elektorale.
Si e shpjegoni faktin që ai lobon për të futur emrin e Ilir Ndraxhit në listë, i cili rezulton ka hyrë në listë dhe është renditur në vendin e 4?
Nuk jam unë njeriu faktor që vë emra apo heq emra nga lista. Janë të tjerë njerëz. Unë jam kryetar bashkie.
PS ka zgjedhur një tjetër kandidat për kryetar bashkie të Shijakut, Pse nuk rikandiduat?
Nuk e gjetët ende arsyen?! Një nga arsyet mund të ishte dhe kjo. Nuk kam lidhje me asnjë njeri. Unë i shërbej qytetit tim.
Ju keni pranuar ftesën.
Kur bëhet fjalë në një takim vjen drejtuesi i qarkut dhe deputeti i zonës nuk mund ta refuzoj takimin. Paçka se nuk kam qenë në atë takim. Në telefon kurrsesi. Sepse telefonata është një fragment dhe mund të thotë po ose jo.
Po ju i keni dhënë detaje?
Nuk ka asgjë të keqe. I kam dhënë detaje që në filan ditë kur është për tu takuar kisha dhe një axhendë tjetër. Me njëmijë përqind nuk kam shkuar sepse axhenda ime ka qenë ndryshe.
A jeni thirrur në prokurori ose në polici për këtë çështje?
Nuk ka një orë që e kam marrë vesh në TV dhe jam ballëlartë.
Duket sikur Avdylaj është organizator i takimit ku do të ishte prezent kryetari i Bashkisë, por dhe deputeti. Duket sikur është organizator i PS-së në Durrës, si është e vërteta?
E vërteta është që në fushatën e 2017 unë si kryetar i Bashkisë, si individ, kam dalë me zotin Ndraxhi në çdo fshat dhe në çdo lagje e zonë të Bashkisë time dhe kam bërë fushatën elektorale tek pullë me këtë njeri. Nuk kam pas asnjë lidhje me këto emra.