Presidenti Ilir Meta i ka uruar shërim të shpejt kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pasi ky i fundit njoftoi përmes rrjeteve sociale se pas testit ka rezultuar i prekur me koronavirus.
Kreu i Shtetit kërkoi sërish respektimin e protokolleve shëndetësore dhe një strategji më efikase dhe transparente për përballimin e pasojave të pandemisë.
Postimi i presidentit Ilir Meta
“Duke i uruar shërim sa më të shpejtë Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, z.Erion Veliaj dhe shëndet të plotë familjes së tij, apeloj me forcë rëndësinë jetike të respektimit të protokolleve shëndetësore, si dhe rritjes së efikasitetit të masave mbrojtëse përmes ndërgjegjësimit, transparencës dhe gjithëpërfshirjes, për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të pandemisë COVID-19.
Ritmet shqetësuese të shtimit të rasteve të qytetarëve të prekur, fatkeqësisht edhe të numrit të viktimave, shtrojnë si domosdoshmëri një strategji më efikase dhe transparente, për përballimin e pasojave të rënda të kësaj pandemie të rrezikshme.
U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të zbatojnë udhëzimet e bëra publike për mbajtjen e maskave dhe respektimin e distancave fizike, veçanërisht me afrimin e pikut të sezonit turistik.
Gjithashtu, është tepër e nevojshme garantimi i masave mbrojtëse për mjekët, infermierët dhe personelin mbështetës, të cilët janë në vijën e parë të frontit, duke sakrifikuar, deri edhe me jetën e tyre, në mbrojtje të shëndetit të çdo qytetari”.