Leo Messi foli për “La Liga”, ku u ndal edhe te rekordi si golashashënues në kampionatin spanjoll. Argjentinasi thotë se është e veçantë të jesh golashënuesi më i mirë historik, megjithëse në fushë mendon më shumë për lojën sesa për golin.
Kryegolashënuesi historik i La Liga – “Më kujtohet shumë herë që Eto’o më tha “ditën kur të fillosh e të shënosh gola, nuk do të ndalesh më…” Sepse, në fillim kisha shumë raste dhe nuk i konvertoja dot në gola. Erdhi dita kur kjo gjë ndryshoi dhe tashmë kam shënuar pa fund”.
Ndeshja para golit – “Sa herë që dal në fushë, më pak mendoj për golat dhe më shumë për lojën, fatin e ndeshjes”.
Çfarë do të thotë ky rekord – “Fakti që jam shënuesi më i mirë i La Liga-s në histori më bën krenar. Kjo, edhe për shkak se kampionati spanjoll është i veçantë. Në të vërtetë është një nga rekordet më të bukura që kam arritur”.
Sekreti i goditjeve të dënimit – “Në fillim kam studiuar shumë video të lojtarëve të njohur në ekzekutimin e goditjeve standarde. I shikoja përsëri e përsëri, veçanërisht në gjuajtjet e lira, për të parë nëse goditësi lëviz përpara, si e hedh hapin, si reagon barrikada përpara, si kapërcehet pengesa etj. etj. E vërteta është se edhe tani i studioj goditjet e dënimit pak a shumë si dikur. Sigurisht, ky specialitet është edhe pjesë e punës sime të përditshme në stërvitje”.
Koha pas stërvitjes – “Ne kemi një regjim shumë të forte. Sapo mbaroj stërvitjen, shkoj në shtëpi për të ngrënë. Pastaj shkoj në shkollë për të marrë djemtë. Shumëçka në kohën e lirë varet nga fëmijët. E vërteta është se ata vendosin se çfarë duan të bëjnë, përveç kohës kur janë në gjumë”.