Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi thotë se institucionet janë totalisht të shkatërruara dhe është normale që Rama të ndihet paksa si mbreti i Shqipërisë,
Në një intervistë për “Rai News”, Kryemadhi thotë se vetëm rënia e kësaj qeverie, që sipas saj përfaqëson krimin e organizuar në Shqipëri, do të mund të sjellë stabilitet në Europë dhe në rajon.
Pjesë nga intervista:
Kryeministri Rama ama ka deklaruar se ai do të vazhdojë të qeverisë, se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, dhe se Parlamenti do të vazhdojë punën e tij…?
Institucionet janë totalisht të shkatërruara dhe është normale që ai të ndihet paksa si mbreti i Shqipërisë, duke menduar se ka mbështetjen e të gjitha institucioneve, por ky është një problem.
Sjellja e tij është vërtetë një problem serioz, nëse ai nuk arrin të kuptojë se çfarë po ndodh, është problem i tij dhe jo problem i popullit shqiptar apo opozitës.
Konkretisht, le ta zëmë se të enjten e radhë,s mazhoranca vendos të kthehet në Parlament dhe të vazhdojë punën. Ju çfarë do të bëni? Do t’ia lejoni?
Protesta jonë do të vazhdojë. E gjithë axhenda jonë varet nga qeveria, nga vendimi i mazhorancës dhe populli do të jetë me ne, sepse ne jemi opozita, ne do ti mbrojmë dhe nuk do ti lëmë të provokohen nga forca të tjera, si forcat e sigurisë të qeverisë.
Axhenda e opozitës është shumë mirë e organizuar dhe kjo axhendë do të shkojë para për ta kthyer Shqipërinë në rrugën e duhur, në një vend demokratik që synon të anëtarësohet në Europë përmes demokracisë.
Ju jeni edhe gruaja e Presidentit të Republikës. Jam kurioze, sepse është një gjë e veçantë. Si ka ndikuar kjo gjendje e politikës në familjen tuaj?
Është shumë e vështirë, sepse ne jemi dy persona komplet të ndryshëm nga ana e karakterit, por gjithsesi në familje kemi gjithsecili rolin e tij. Unë jam nëna që kujdeset për fëmijët dhe ai është babai i shtëpisë, sigurisht ai mendon se aktiviteti ynë është pak i çuditshëm, pak si tepër agresiv nga pikëpamja e vendimeve që marrin (djegia e mandateve), por kjo është e vetmja mënyrë që ne të ndezim shpresën te populli se diçka po ndryshon në Shqipëri.