Kryesore Kryemadhi i kërkon falje Metës: Tradhtia më e madhe për mandatet e...

Kryemadhi i kërkon falje Metës: Tradhtia më e madhe për mandatet e Beratit, Korçës dhe Durrësit

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, i kërkoi falje Presidentit dhe bashkëshortit të saj, Ilir Meta, duke pranuar kritikat e tij për dorëzimin e mandateve. Teksa bëri një analizë të arritjes së të këtij rezultati negativ, Kryemadhi i kërkoi falje dhe Presidentit në emrin e saj dhe partisë që drejton për strategjinë e gabuar të zgjedhur duke nisur që nga djegia e mandateve dhe mos marrja pjesë në zgjedhjet lokale të vitit 2019.

“Koha dhe ky rezultat tregoi që shqetësimi i presidentit të Republikës ishte i drejtë. Prandaj dua që në emër të LSI-së dhe timin personal t’i kërkoj falje për këtë qëndrim, që nuk solli gjë tjetër vetëm rrëmbimin dhe fitoren e zgjedhjeve nga bandat kriminale dhe oligarkët”, tha Kryemadhi në një konferencë për mediat.

“Dua të falënderoj votuesit e vlefshëm, 107 mijë votuesit e vlefshëm dhe 81 mijë votuesit e pavlefshëm, ku 70% janë votues të LSI-së. Falenderim për burrat dhe gratë që nuk u shitën, nuk u trembën nga kërcënimet. Makineria mediatike, politike kundër LSI-së, e cila nuk u tërhoq për asnjë moment prej 2 vitesh”.

Sipas saj, rezultati nuk reflektoi vullnetin e qytetarëve për ndryshim. “Nuk do të tërhiqemi, por do ta vazhdojmë betejën tonë edhe më tutje. LSI-ja nuk do të jetë vetëm në Parlament, por në sheshe dhe çdo shtëpi të qytetarëve shqiptarë”, tha Kryemadhi.

Ajo shtoi se janë të paktën 3 mandate për të cilat partia e saj do të luftojë për t’i rifituar. “Ju bëj thirrje numëruesve sepse në Durrës, ku Edi Rama merr mandatin e Elona Gurit vetëm me 139 vota, kanë dalë fletë e pavlefshme. Prandaj numëruesit tanë të numërojnë çdo votë për kandidatët. Tradhtia më e madhe vjen në 3 mandatet e Beratit, Korçës dhe Durrësit. Kjo është tradhtia më e madhe vetëm në 3 mandate, pa llogaritur të gjithë procesin zgjedhor”.