Kryesore Kryemadhi i përgjigjet “nepotizmit të Metës” me konfliktin e interesit: Ky është...

Kryemadhi i përgjigjet “nepotizmit të Metës” me konfliktin e interesit: Ky është problem në një parti

Monika Kryemadhi u shpreh se nuk e kishte ndërmend të fliste në Konventën e Përgjithshme të Partisë së Lirisë këtë të shtunë në Pallatin e Kongreseve, madje edhe ishte larguar për disa momente nga salla kur iu thirr emri për të folur.

Megjithatë, ajo mbajti një fjalë të shkurtër ku u ndal më shumë te propozimet e saj. Një prej të cilave ishte edhe konflikti i interesit, për të cilin tha se ky është problemi brenda një partie politike dhe jo nepotizmi për të cilin flet Ilir Meta.

“Nuk kisha ndërmend të flisja, por derisa isha vendosur në agjendë, vijoj ti qëndroj fortë dy propozimeve të mia. Së pari, buxhetimi i fushatave të grave kandidate të jetë garanci statutore. Së dyti, konflikti i interesit. Marrëdhëniet e punësimit në PL, apo të emërimit në detyrë, nuk mund të lidhen ndërmjet dy individëve me marrëdhënie konflikti interesi”, tha Kryemadhi.

“Që të mos vazhdohet të bëhet propagandë me nepotizmin sepse në një parti politike nuk ka të bëjë nepotizmi, por ka të bëjë meritokracia. Një parti politike vendoset me votë jo me emërim. Në pushtet emëron kryetari apo përfaqësuesi. Megjithatë, unë mendoj se edhe në Partinë e Lirisë ka ardhur koha të shtojmë edhe pikën e konfliktit të interesit, do të thotë që përfitojnë nga njëri tjetri”, tha Kryemadhi.

Propozimet e plota të Monika Kryemadhit:

PROPOZIMI 1:

Propozoj që buxhetimi i fushatave të grave kandidate të jetë garanci statutore, duke propozuar formulimin:

“Nga nisja e periudhës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare dhe ato vendore, 30% e gjithë buxhetit të partisë do të vendoset në dispozicion të kandidateve gra në të gjithë vendin.

Rregullat për shpërndarjen e këtyre fondeve tek kandidatet gra, si dhe deklarimi i shpenzimeve në respektim të legjislacionit në fuqi, vendoset me udhëzim të kryesisë së PL. Gruaja kandidate është e pavarur nga partia për ta disponuar këtë fond sipas nevojave të fushatës së saj.”

Ky propozim vjen nga eksperienca e gjatë dhe problematikat e hasura për rritjen e hapsirave dhe pavarësisë së grave në jetën politike brenda partisë politike si dhe në fushatë elektorale.

PROPOZIMI 2:

Zëvendësimi i dispozitave të parashikuara në nenin 7.10 të Statutit, si dispozita në kufijtë e shkeljes së kuadrit ligjor që rregullon të drejtat politike dhe lirinë e shprehjes së shtetasve në republikën e Shqipërisë, e që nuk gjejnë vend në frymën e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, me parashikimin për mënjanimin e konfliktit të interesit brenda partisë:

“1. Anëtari i PL, nuk mundet të propozojë për anëtarësim në forumet drejtuese të partisë në të gjitha nivrlet, individë me të cilët ka konflikt interesi. Në kuptimin e këtij neni, marrëdhëniet me konflikt interesi përfshijnë por pa u limituar tek ato familjare, shoqërore, të biznesit, të punësimit aktual apo të mëparshëm, të fqinjësisë. Propozuesi, as nuk merr pjesë në votim për zgjedhjen në organet drejtuese të PL të një individi me të tilla marrëdhënie.

1.1. Ky rregullim zbatohet edhe për individët që Partia e Lirisë do të propozojë si përfaqësues të saj në role të ndyshme në pushtetin legjislativ, si dhe në pushtetin ekzekutiv gjatë gjithë periudhës qeverisëse të Partisë së Lirisë.

2. Marrëdhëniet e punësimit në PL, apo të emërimit në detyrë, nuk mund të lidhen ndërmjet dy individëve me marrëdhënie konflikti interesi. Në raste të tilla, eprori duhet t’a deklarojë këtë marrëdhënie në kryesinë e PL, e cila miraton emërimin me shumicë të thjeshtë.”

Shpresoj që propozimet e dorëzuara prej meje për statutin të gjejnë mbështetjen e delegatëve të Konventës. Do ta bënte partinë mbështetëse REALE të grave me mendim të lirë, si dhe të mënjanonte gabimet e së kaluarës të LSI në qeverisje.