Para të rinjve në kampin e Jalit, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi u shpreh se vendi ynë është në një udhëkryq, pasi sipas saj ende nuk janë të qarta gjërat.
“Kemi një qeveri që nuk e dimë se ça është sepse ka ministra të PD, ka ministra të PS dhe ministra të LSI. Kemi një parlament që do të mblidhet pas disa javësh… pra kemi një situate ku nuk kemi një objektiv, nuk kemi një qellim”, tha kryetarja e LSI-së.
Duke folur për LRI-në, Kryemadhi u kërkoi atyre që të jenë aktiv, pasi Shqipëria ka nevojë për ta, e sidomos për një forcë që kujdeset për të varfrit.
Ajo u shpreh se LSI nuk ka frikë nga gabimet që ka bërë në qeveri dhe as të kërkojë falje.
“Ne nuk kemi frikë nga gabimet që kemi bërë kur ishim në qeveri. Ne nuk kemi kompleksin të kërkojmë falje. Të rrëzohesh do të thotë të ringrihesh. Ne sot në pozicionin si opozitë nuk i përsërisim më gabimet, por marrim përsipër të bëjmë luftë frontale kundër padrejtësive”, – u shpreh kryetarja e LSI-së.
Ne fund ajo ka dhënë edhe mesazhin se LSI do të bëjë luftë frontale kundër çdo padrejtësie dhe për të ngritur zërin ndaj çdo padrejtësie që i bëhet çdo të riu, çdo të reje, burri apo gruaje, fëmije dhe kujtdo tjetër.
“Por kjo nuk bëhet e vetme, këtë nuk e bën dot as Monika Kryemadhi apo në grup parlamentar prej 19 deputetësh. Këtë e bën vetëm një grup i jashtëzakonshëm me qindra dhe mijëra të rinj e të reja në të gjithë Shqipërinë”, tha Kryemadhi.