Kryemadhi ka komentuar sot në studion e lajmeve të “Syri.net”, largimin e Ylli Manjanit nga posti i ish-ministrit të Drejtësisë. Ajo ka këmbëngulur se kjo forcë nuk e ka shitur Manjanin. Kryemadhi tha gjatë intervistës se nuk e ka pranuar personalisht, por LSI do të merrte vendimet e shumicës.
Një nga çështjet më kryesore të ditës pas kanabisit, tanimë i pranuar edhe nga kryeministri i cili i dërgoi një letër kryeministrave të vendeve të BE-së, ku i kërkonte ndihmën e tyre për të përballuar situatën. Gjithashtu ka plasur skandali i përgjimeve. Ju keni informacione, apo i ka vetëm PD, sepse ata po reagojnë?
“Ne si klasë politike, nuk mund ta bazojmë luftën tonë politike tek përgjimet. Ne duam ta bazojmë luftën tonë tek programet që ofrojmë për qytetarët. Mendoj që shqiptarët mund të jenë të interesuar për të dëgjuar se çfarë diskuton Monika në telefon, se është pak intrigues, por në fund të ditës qëllimi ynë është se çfarë do i çojmë fëmijëve për t’i ushqyer në shtëpi dhe e ardhmja e tyre e ndërtuar në këtë vend. Ajo çfarë dua të them është që problemi ynë më i madh që kemi sot është problemi i kriminalizimit të institucioneve tona dhe kjo më duket demagogji nga z. Rama, që kërkon ndihmë nga institucionet ndërkombëtare. Gjëja e parë që mund të bëjë z. Rama është të japë dorëheqjen dhe të largohet. Është një demagogji që ai bën. Ai për marrëdhënie me publikun është shumë i mirë. Ai ka arritur t’i gënjejë shqiptarët në gjithë këto vite, duke treguar që është njeriu i duhur për Shqipërinë. Por në fakt ky është njeriu i duhur për krimin e organizuar, për të zaptuar institucionet e shtetit shqiptar, që nuk ka bërë vaki në asnjë vend”.
Por kur këto i thoshte Ylli Manjani si nënkryetar i LSI-së, ju e shitët atë apo jo?
“Jo, ne nuk e shitëm. Z. Manjani u shkarkua nga z. Rama”.
Dhe ju e pranuat
“Unë nuk e kam pranuar personalisht. Sigurisht që LSI do të merrte vendimet e shumicës. Unë isha pakicë. Kam votuar kundër shkarkimit. Nuk kam asnjë lloj kompleksi në këtë drejtim. Unë e kam thënë dhe do ta them gjithmonë që në momentin që ai zotëri shkarkoi z. Manjani, LSI duhet të ishim larguar nga qeveria, edhe pse ai i kishte votat në Grupin e Partisë Demokratike. Këtë e dinë shumë mirë edhe vetë deputetët e PD-së. Ata e dinë më mirë se ne që edhe po të largoheshim ne nga qeveria, Rama i kishte votat për të bërë qeverinë tjetër”.
Është kjo arsyeja pse nuk u largua LSI?
“Ky ishte një moment i një zgjidhjeje momentale që e morën në atë kohë drejtuesit e LSI-së. Unë nuk kam qenë asnjëherë në asnjë nga takimet që është bërë mes PS-së dhe LSI-së”.