Në një prononcim për mediat jashtë selisë së Kuvendit, deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi paralajmëroi se do të dalin të tjera fakte, që tregojnë se si qindra milionë euro të marra nga qytetarët shqiptarë kanë shkuar për ish-zyrtarin e FBI McGonigal.
Kryemadhi tha se seanca e sotme parlamentare tregoi që në Shqipëri nuk ka më as regjim hibrid, por një diktaturë.
“Sot seanca parlamentare tregoi edhe një herë që demokraci nuk ka më, nuk ka as sistem hibrid, por një diktaturë. Diktaturën e injorancës në radhë të parë dhe më pas është edhe diktatura politike. Nëpërmjet saj paratë e qytetarëve shqiptarë janë paguar për xhepat e McGonigalit. Në ditët në vijim do shikoni që ka qindra milionë euro të paguara, që u janë hequr pensioneve, pagave të profesorëve, pagave të nëpunësve, që kanë shkuar për të paguar McGonigal. Ai është një individ që ka përdorur në mënyrë të paligjshme emrin dhe simbolin e SHBA-ve për të ushtruar shantazh, për të korruptuar apo kërcënuar, jo vetëm opozitën, por edhe biznesin, median, etj”.