Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, deklaroi se opozita është në negociata me ndërkombëtarët.
E ftuar në emisionin “Tempora” në RTV Ora, Kryemadhi tha se negociatat nuk janë për të zgjidhur krizën e momentit, por për ti dhënë fund tranzicionit 30-vjeçar.
Kryemadhi u shpreh se nëse do ishte në vendin e kreut të demokratëve, Lulzim Basha do shkonte në zgjedhje me Edi Ramën, kryeministër.
Monika Kryemadhi: Sot të shkosh në zgjedhje me Edi Ramën kemi 90% të shqiptarëve. Ja kam thënë dhe Basha e di shumë mirë këtë gjë, jo vetëm Basha por shumë të tjerë. Nuk kam asnjë kontradiktë (me Bashën), jemi të rakorduar. Jemi në negociata me ndërkombëtarët. Sot opozita është në udhëheqje të opinionit kombëtar dhe shqiptar. Shqiptarët kanë dalë në rrugë për veten e tyre dhe nëse shqiptarët nuk shikojnë që kjo opozitë që ka marrë përsipër ti udhëheqë nuk është e qartë. Kemi filluar të jemi të qartë. Negociatat tona me ndërkombëtarët nuk janë për të zgjidhur krizën e momentit që edhe politikanët dhe ndërkombëtarët të shkojnë me pushime në gusht, nuk ka rëndësi se kush është në anën tjetër. Negociohet për ti dhënë fund tranzicionit 30 vjeçar që e ka çuar vendin në vijën e fundit.
E pyetur nëse fundi i tranzicionit mund ta lërë jashtë dhe vetë atë, Kryemadhi ka këtë përgjigje:
Monika Kryemadhi: Do ketë më shumë opinionistë që do të lërë tranzicioni jashtë sesa Monikën. Monika as nuk ka qenë pjesë e tranzicionit, as ka për të qenë ndonjëherë. Monika është një personazh i çuditshëm që hyn te speciet e rralla, që për hir të vërtetës del gjithmonë në ballë të luftës, jo në ballë të pushtetit. Në ballë të pushtetit dalin intelektualët, këta që na vinë me shkolla nga jashtë shtetit, me sponsorizim nëpërmjet grupeve të caktuara dhe që hyjnë nëpërmjet institucioneve shtetërore me letra. Vinë me shkolla tre mujore apo kurse tre javore. Është kompleksi jonë që kemi ndaj diplomave ndërkombëtare dhe nuk kemi vlerësuar shkollat tona, përkundrazi i kemi rrënuar institucionet tona arsimore. Tranzicioni duhet të marrë fund. Nëse do të vazhdojmë të pasurojmë xhepin e Edi Ramës apo politikanëve të tjerë, Shqipëria do të shpopullohet. Ky është plani strategjik, një Shqipëri e shpopulluar është më e kollajshme për ta menaxhuar.