Opinione Kryeministri Edi Rama ka shpallur dorëheqjen në Memaliaj!

Kryeministri Edi Rama ka shpallur dorëheqjen në Memaliaj!

Nga Edmond Ismailati

Sinqerisht, as që e mendoja ndonjëherë që kryeministri Edi Rama do të shpallte dorëheqjen dhe aq më shumë, në Bashkinë Memaliaj!

Shprehem kështu, pasi nga çfarë kam parë përgjatë gjithë mandateve të qeverisjes së tij edhe pse në këtë bashki ka qeverisur rilindja e tij, mendova se do e kishte harruar këtë qytet heronjsh, që vazhdon të mbijetojë; edhe pse është braktisur nga shteti në këto 33 vjet, që nga koha e ndërrimit të sistemeve!

Nuk po i rikthehemi sesi janë grabitur dhe ndarë votat e disa zgjedhjeve të kaluara bashkiake, pasi ka dëshmitar dhe video, të cilat janë të pakundërshtueshme edhe pse nuk janë bërë publike në kohë; pasi ndiheshin të frikësuar, por sot u ka vajtur thika në palcë dhe nuk është çudi që shumë shpejtë, disa prej tyre edhe mund t’i bëjnë virale; pasi e shikojnë se nuk kanë më se çfarë të humbasin, përveçse janë bindur nga zhgënjimi që u ka dhuruar edhe ish partia e tyre! Publikimin e tyre, ua kam kërkuar në kohë, që kur jam vënë në dijeni, por nuk ndodhi për arsyet që u shpjegova më lart dhe për më tej, ngelet në dorën e tyre.

Zgjedhjet vendore të 2019-s, që sollën në pushtet, kryetarin e rilindjes, Gjolek Guci, ishin të ndershme edhe pse ai ishte në kërkim të një kandidati rival dhe pjesëmarrja e votuesve, ishte më pak se 50% dhe nëse kjo pjesëmarrje do të shqyrtohej nga ana ligjore, nuk do të lejonte të kryheshin votimet. Edhe ish qeveria vendore me kryetarin, Gjolek Guci, bëri të pamundurën për të mbijetuar, pasi edhe pse i përkiste Rilindjes, nuk u mbështet me fonde nga qeveria juaj, siç ndodhi me vërshimin e fondeve që iu bë bashkisë së Tepelenës.

Ju patët guximin dhe erdhët sërish në Memaliaj, por kësaj herë nuk e bëtë hapjen e fushatës në qendrën e qytetit, të betonuar dhe shtruar me gurë skarco nga qeveria juaj, pasi, jo vetëm që na u shkatërrua qendra jonë historike, e cila ishte projektuar nga inxhinier polak, por ngaqë e ndiet me të drejtë, që ishte totalisht jashtë shijeve tuaja si artist, se po vetë sheshi “Minatori” do t’ju bënte antifushatë. Nisur nga ky realitet, zgjodhët ta bënit hapjen e fushatës për rizgjedhjen e kryetarit, Gjolek Guci, me premtimet e shumta buzë Vjosës edhe pse deputetët tuaj, nuk kishin mbajtur asnjë premtim të mandatit të kaluar, po për këtë kryetar.

Ju bëtë të pamundurën me premtimet edhe pse mbajtët kalipeçi një fëmijë memaliot katër vjeçar, për ta përcjell me më shumë besim, besën tuaj të bërë publike! Ju u shprehët se rizgjedhja e Gjokek Gucit, do jetë një fitore për të gjithë, por ai nuk fitoi, pasi ai po shkonte në zgjedhje i braktisur totalisht nga Rilindja, përgjatë mandatit të parë. Edhe pse ai u futë në zgjedhje në mëshirë të fatit, u përfaqësua shumë mirë dhe humbi me rezultat të ngushtë, falë përpjekjeve të tij në gjashtëmujorin e fundit, pasi siguroi disa makineri ndërtimi; falë dhuratës që i bëri ambasada japoneze. Për më shumë detaje në këtë temë, do ndalemi në një shkrim tjetër me titull, “Pse Rilindja u vetëvar në Memaliaj”, për të ndihmuar edhe deputeten Kumbaro, e cila u shprehë në media, se e kishte shumë të vështirë të lexonte votën ndryshe.

Për të mos u zgjatur shumë, z. kryeministër, pasi mjafton të kuptohet nga aq çfarë u shpreha më lartë, ju: ose jeni ende viktimë e raportimeve që ju bëjnë deputetët tuaj të paaftë dhe të famshëm nga krahu i kundërt i medaljes: ose keni lajthitur! Një nga këto të dyja edhe pse ende besoj se jeni viktimë.

Për të vënë në dijeni se: çfarë po ndodhë nën autoritetin e qeverisë tuaj, në lidhje me shkeljen e ligjit, të drejtat e njeriut dhe me fatet e një komuniteti të tërë, siç është Memaliaj, po jua përcjell me anë të këtij shkrimi, atë që e ka bërë publike në profilin e tij në Facebook, kryetari i Bashkisë tonë, z. Albert Malaj, të cilën po e sjell të plotë si më poshtë:

APEL PËR REFLEKTIM

– Së pari ju përshëndes, ju qytetarëve të Bashkisë Memaliaj duke ju uruar shëndet,

mbarësi në familjet tuaja dhe do të doja t’ju bëja me dije për disa shqetësime, të cilat ashtu siç i kemi ndarë me ju nga nisja e rrugëtimit të përbashkët.

–  Misioni ynë i përbashkët është ndryshimi i kësaj bashkie, por që me marrjen e detyrës 3 muajve u vumë në ndjekje të çdo shqetësimi që kanë qytetarët e Memaliajt dhe fshatrave të kësaj bashkie, duke shfaqur guxim dhe energji, që buron nga forca juaj e të vendosurit.

– Por bashkia jonë, po shikohet me një sy tjetër me shpalljen e rezultatit!

– A thua se po përballemi me një embargo për drejtuesit dhe qytetarët, që zgjodhën me vullnetin e tyre?

– Menjëherë u bllokuan llogaritë e bashkisë me përmbarim, duke penguar veprimtaritë zhvilluese të bashkisë, të vëna re më së miri nga ana juaj.

– Pse nuk ndodhi me administratën e parë, kur shkresa e tillë kishte kohë në thesar, por nuk ezaurohej?

– U bllokuan makinat e mbetjeve, që të mos hidheshin mbeturinat tek vendi që kishte 30 vjet, menjëherë sa u mor detyra nga ana jonë.

– U procedua firma e pastrimit dhe bashkia.

– Mjetet kanë qëndruar një javë të mbushura me mbeturina deri në caktimin e një vendi tjetër depozitimi, i ndryshëm nga ai i 30 viteve, që u realizua në kohë rekord nga administrata e re (sot ka bashki që i derdhin në gryk të Vjosës, por nuk ngacmohen apo procedohen nga policia).

– Në çdo takim që bëhet për çështjen e lumit Vjosë, caktohen qytete të tjera, që nuk përshkohen nga Vjosa dhe s’kanë asnjë lidhje me të.

– Në datën 20 shtator, policia e partisë ka bllokuar mjetet e bashkisë, si fadrom dhe kamion, që sistemonin lulishten në hyrje të qytetit, me pretendimin se kanë cënuar strukturën e tokës, duke bllokuar dhe lënë në ruajtje këto mjete.

– Janë proceduar në prokurori shoferët dhe stafi drejtues i bashkisë!

– A thua kanë të bëjnë me një organizatë kriminale dhe jo me një institucion vendor legal të dalë nga vota e qytetarëve?

– Kush mundet ta gjykojë vendimin tuaj për të zgjedhur të lirë?

– I bëj apel policisë së qarkut Gjirokastër, të kryejë detyrën dhe respektojë ligjin njësoj për të gjithë, jo në mënyrë selektive, të mos marrin urdhra politike, pasi nuk është një staf i bashkisë, por të gjithë qytetarët, që kanë vendosur për të bërë këto ndryshime pozitive për komunitetin e bashkisë.

–  I kujtoj policisë të shikojë mjetet që kemi denoncuar, që lëvizin pa targa, me xhama të zinj dhe me targa fallco në territorin e bashkisë dhe të lirojë mjetet e bashkisë që vazhdojnë të bëjnë punën legale në të mirë të komunitetit e qytetarëve.

–  Ne si staf në aleancë të plotë me qytetarët, nuk intimidohemi nga presioni policor politik dhe do punojmë me fonde të limituara, por të vendosur më shumë se kurrë për të ndryshuar faqen e kësaj bashkie duke përmirësuar jetën e qytetarëve të saj, pasi ky është misioni që kanë vendosur qytetarët e Memaliajt.

Ky publikim prej tij, që përcjell realitetin është bërë në 30.09. 2023 dhe ka prekur të gjithë zemrat e komunitetit dhe më shumë akoma, vetë mbështetësit e Rilindjes, të cilët nëse do të vazhdojnë të përjetojnë të tilla padrejtësi, padyshim që do të jenë më të bindur për ta fundosur më thellësisht dhe haptas votën e tyre! Kjo do të jetë goditja e radhës që do të dhurojnë deputetët tuaj!

Zoti kryeministër, ju e keni bërë publike dhe me krenari të plotë, shpalljen e “Vjosës, Park Kombëtar”, ku tashmë Vjosa është bërë e njohur botërisht, si një ndër pasuritë botërore të UNESCO-s. Tashmë dihet që Bashkia Memaliaj, nëpërmjet pasurisë që mbart emri Vjosa, është futur në BE dhe si ka mundësi që banorët në trevat e saj me prejardhje qysh nga lashtësia, të përjetojnë ende diskriminimin shpirtërorë, psikologjikë dhe ekonomik, jo nga shteti i tyre, po nga vetë qeveritë që u besuan të udhëheqin shtetin e tyre me besimin: Të gjithë të barabartë, përpara ligjit.

Mund të vazhdoj duke renditur edhe probleme të tjera që po përjetohen aktualisht, por do ja adresoj skandalit të radhës që deputetes me shkrimin, “Deputetja Kumbaro vetëshpallet nongrata në Memaliaj!”.

Zoti kryeministër, po ju bëjë me dije, se banorët e Bashkisë Memaliaj janë shumë të ndjeshëm ndaj padrejtësive, pasi janë bijtë e tyre, të cilët lanë edhe perëndimin dhe vendosën të përlesheshin me nëntokën; pasi ishin trima, guximtarë dhe i jepnin njëri-tjetrit, besën e vëllait. Bijtë e tyre nuk do të presin, sa të bëhen pemë fidanet që ju mbollët buzë Vjosës, për t’u vetëvarur fëmijët e tyre, por do të çohen për të protestuar duke bllokuar edhe rrugën nacionale.

Zoti kryeministër, kam besim të plotë, se do i jepni zgjidhje përfundimtare këtij diskriminimi që po i bëjnë Bashkisë Memaliaj, deputetët tuaj, padijeninë tuaj! Ju jeni shprehur botërisht, se e gjithë bota duhet të marr shembull nga Shqipëria, sesi i trajton pakicat kombëtare: Po memaliotët, kujt pakice e përkasin?

Me apo pavetëdijen tuaj, (me këtë padrejtësi) qeveria juaj po i futet në hakë, jo vetëm memaliotëve dhe shpirtrave të atyre që u përleshën me nëntokën, por edhe Zotit! Nëse keni besim në Zot, mos e vini në provë, pasi nesër do të jetë shumë vonë! Bëji me dije dhe tërhiqu veshin deputetëve dhe nëse ata nuk veprojnë, atyre u ngelet në kamare, nuk kanë ku të shkojnë!