Qeveria britanike nuk po e vlerëson në të njëjtën mënyrë jetën e izraelitëve me atë të palestinezëve. Kreu i qeverisë së deleguar skoceze, Humza Yousaf, i cili ka familjarë në Gaza, tha se është i zhgënjyer nga indiferenca e kryeministrit Rishi Sunak.
I pyetur nëse mendon se qeveria po i vlerëson njësoj palët e përfshira në konflikt, lideri i SNP tha:
“Nuk mendoj. Dhe çështja është se jeta e një palestinezi është e barabartë me jetën e një izraeliti”.
Yousaf tregoi se në fillim të kësaj jave se vjehrra dhe vjehrri i tij kanë mbetur të bllokuar në Gaza që nga sulmi i befasishëm i Hamasit ndaj Izraelit fundjavën e kaluar. Çifti, i cili është nga Dundee, udhëtoi për në Gaza javën e kaluar për të vizituar një të afërm të sëmurë.
Duke folur për Sky News, Yousaf tha se kryeministri Rishi Sunak ende nuk ka kontaktuar me të për situatën e familjes së tij – dhe se ai është “i zemëruar dhe i zhgënjyer” që nuk ka marrë asnjë përgjigje pasi i shkroi Sekretarit të Jashtëm, James Cleverly, i cili aktualisht është në Izrael.
Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Grant Shapps, mbrojti Izraelin pasi ushtria e vendit dha urdhër që banorët e Gazës veriore – më shumë se 1 milion – të evakuoheshin përpara një sulmi të pritshëm tokësor. OKB-ja ka paralajmëruar se një lëvizje e tillë mund të ketë pasoja shkatërruese humanitare.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar duhet të përdorë pozicionin e saj të besuar si aleate e qeverisë së Izraelit për të bërë thirrje për t’i dhënë fund dënimit kolektiv. Ata duhet të jenë në ballë duke thënë se jeta e një palestinezi është e njëjtë me jetën e një izraeliti.