Kryeministri japonez Shinzo Abe njoftoi se do të tërhiqet nga posti i tij për të luftuar një “sëmundje kronike”, të cilën nuk mund ta mbajë më nën kontroll.
Abe tha se kishte mundur ta mjekonte sëmundjen me ilaçe, por tani gjendja i tij ishte përkeqësuar, duke mos i dhënën zgjidhje tjetër përveç se të japë dorëheqjen.
Ai thotë se është penduar që po lë postin e tij “pa arritur të gjitha objektivat”, por theksoi se vendi duhet të ketë në krye dikë që është plotësisht i aftë për të luftuar situatën aktuale të koronavirusit.
Kryeministri japonez tha se vendimi i tij ishte mbështetur edhe nga anëtarët e Partisë Liberale Demokratike.
Shqetësimet për shëndetin e tij nisën që në fillim të kësaj vere, por u bënë më serioze kur Abe vizitoi një spital në Tokio për kontrolle shëndetësore të paspecifikuara.
Zyrtarët e lartë janë shprehur më herët se kryeministri ishte i mbingarkuar dhe i duhej të pushonte, ndërsa anëtarët e zyrës së shtypit pohuan se ai dukej i lodhur dhe lëvizte më ngadalë se zakonisht.
Abe, mandati i të cilit do të përfundonte në shtator të 2021, tha se do të vazhdojë të qëndrojë në krye derisa partia e tij të zgjedhë një drejtues të ri.