“Provat sugjerojnë se një raketë iraniane goditi avionin ukrainas me pasagjerë që u rrëzua pranë Teheranit, me gjasë gabimisht”. Kështu u shpreh në një deklaratë për mediat këtë të enjte kryeministri kanadez, Justin Trudeau.
Sipas asaj që shkruan BBC, Trudeau kërkoi një hetim të plotë dhe transparent për rrëzimin e avionit, që i mori jetën 176 personave që ndodheshin në bord. 63 prej viktimave ishin kanadezë.
Fillimisht ishin mediat amerikane, të cilat duke cituar burime të inteligjencës, raportuan se avioni u godit gabimisht nga Irani.
Pak orë më herët e përditshmja amerikane CBS shkruante se zyrtarët amerikanë thonë se besojnë se Ukrainian International Airlines Boeing 737-800 u godit nga një raketë.
Rrëzimi i avionit erdhi vetëm pak orë pasi Irani ndërmori sulme me raketa ndaj dy bazave ajrore në Irak, të forcave amerikane.
CBS Neës, duke cituar shërbimet amerikane të inteligjencës, shkruante se një satelit kishte detektuar drita infra të kuqe të lëshimit të dy raketave, që ishte pasuar nga një dritë e shpërthimit.
Po gjatë kësaj të enjteje, Presidenti amerikan Donald Trump tha se “kam dyshimet e mia” për avionin. “Dikush mund të ketë bërë një gabim”, tha ai.
Të gjithë personat që ndodheshin në bordin e avionit të ngritur në fluturim nga Aeroporti i Teheranit, humbën jetën. Viktimat ishin nga 7 shtete të ndryshme.
Nga ana e tij Irani e ka përjashtuar mundësinë që avioni të jetë goditur me raketë.