Kryesore Kryeministria kërkoi caktimin e datës së zgjedhjeve për Himarën, Begaj thërret Celibashin...

Kryeministria kërkoi caktimin e datës së zgjedhjeve për Himarën, Begaj thërret Celibashin në zyrë

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, është thërritur në një takim zyrtar në Presidencë. Takimi vjen pak orë pasi Celibashi vendosi të shpallë të pavlefshëm mandatin e Fredi Belerit si kryetar i Bashkisë Himarë, pas dënimit të tij nga Gjykata e Apelit me vendim të formës së prerë për korrupsion zgjedhor.

Pas vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka komunikuar vendimin Kryeministrisë. Pasi është vënë në dijeni nga KQZ, Kryeministria ka njoftuar zyrtarisht Presidencën për vakancën e krijuar në drejtimin e këtij institucioni të qeverisjes lokale.

Në shkresën drejtuar Presidencës, ekzekutivi kërkon edhe caktimin e datës së zgjedhjeve, për t’i hapur rrugën garës për kreun e ri të Bashkisë së Himarës.

Sakaq, sipas ligjit në fuqi Fredi Beleri ka 30 ditë kohë që të ankimojë vendimin e marrë nga KQZ në KAS.

Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, që ishte i pranishëm përkrah Belerit në mbledhjen e paradites së sotme, ka paralajmëruar avokatët e tij do të ndjekin çdo procedurë për ta vijuar më tej betejën ligjore.