Në Kristçërç të Zelandës së Re është mbajtur një ceremoni përkujtimore, në nder të 50 viktimave të sulmit terrorist të 15 marsit. Kryeministrja e këtij vendi, Jacinda Ardern foli në ceremoni, bashkë me liderët islamikë dhe të mbijetuarit e sulmit.
Cat Stevens, këngëtari britanik që është konvertuar në fenë islame në vitet 1970, po ashtu, këndoi në ceremoni. Mbi 20 mijë persona morën pjesë në ceremoninë e zhvilluar në parkun Haglej ku kryeministrja Ardern tha se Zelanda e Re ka “përgjegjësinë për t’u bërë vendi që ne dëshirojmë të jetë”.
“Ne nuk jemi imunë nga virusit të urrejtjes, apo frikës. Kurrë nuk kemi qenë. Mirëpo ne mund të kthehemi në kombin që zbulon shërimin”, ka thënë ajo.
“Çfarë mund të shprehin fjalët për një qytet në zi, që ka njohur kaq shumë dhimbje. Mendova se nuk do të mund të gjeja asnjë fjalë për të thënë para jush. Dhe pastaj erdha këtu dhe u prita me një përshëndetje të thjeshtë, Salam Aleikum, paqja qoftë me ju”, tha kryeministrja Ardern.
Në sulmin e 15 marsit humbën jetën 50 vetë pasi një agresor, i vetëquajtur supremacist i bardhë, sulmoi dy xhami në Kristçërç dhe transmetoi aktin e tij drejtpërdrejt në rrjetin social Facebook.
Pas këtij sulmi, Zelanda e Re ndryshoi Ligjin për armët duke ndaluar posedimin e të gjitha armëve gjysmëautomatike si ato të përdorura në sulm.