Pasi shpalli kufizimet e reja kundër pandemisë, kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern lajmëroi gjithashtu se do të anulonte ceremoninë e dasmës së saj.
Ajo tha se nuk do t’ia lejonte vetes të sillej ndryshe nga bashkëkombësit e saj në kushtet e pandemisë.
“Nuk jam ndryshe nga mijëra neo-zelandezë të tjerë që kanë ndjerë një ndikim më shkatërrues nga pandemia, pamundësia për të qenë me personat e dashur kur ata janë tepër të sëmurë,” u shpreh kryeministrja, ndërsa konfirmoi për gazetarët se martesa e saj me prezantuesin Clarke Gayford nuk do të zhvillohej.
Vendi do të vendoset nën kufizime tepër të ashpra për shkak të përhapjes së shpejtë të variantit Omicron të COVID-19.
Kufizimet përfshijnë një kapacitet prej 100 personash të vaksinuar në evente dhe mbajtjen e maskës në dyqane dhe transport publik.
Zelanda e Re ka regjistruar mbi 15 mijë raste infektimi me COVID dhe 52 vdekje.
Vendi ka operuar nën rregulla strikte që prej fillimit të pandemisë, gjë që ka mbajtur në kontroll numrin e vdekjeve.
Por me daljen e variantit Delta, kryeministrja Jacinda Ardern ndryshoi strategjinë nga eliminimi i COVID te nxitja për më shumë vaksinime.
Afro 94% e popullsisë mbi 12 vjeç është tërësisht e vaksinuar dhe 56% e tyre kanë bërë dhe dozën përforcuese.