Portali “Vatican News” i ka dedikuar një artikull krizës politike në Shqipëri duke sjellë edhe një intervistë të dhënë për Radio Vatikanin nga kryepeshkopi i Tiranës dhe Durrësit, imzot George Frendo.
Më poshtë vijon artikulli:
Këto ditë Shqipëria është tronditur nga protesta të fuqishme kundër qeverisë.
“Dorëheqja e e Kryeministrit socialist Edi Rama është objektivi i parë për t’u arritur”, ka deklaruar lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Deputetët e partisë së Bashës, formacioni kryesor i opozitës shqiptare të qendrës së djathtë, zyrtarizuan të enjten dorëheqjen në grup nga Parlamenti. Një vendim i kritikuar fuqishëm nga Brukseli dhe Uashingtoni. Sekretari i përgjithshëm i Këshillit Europian, Thorbjorn Jagland, ka bërë në veçanti thirrje që partitë e opozitës të mos braktisin sallën e Parlamentit.
“Në demokraci, Parlamenti është vendi kryesor për çështjet politike të një vendi. Opozita shqiptare nuk duhet të dorëzojë mandatet parlamentare”, ka theksuar ai.
Zërat e mazhorancës dhe opozitës
Tensioni mbetet i lartë. Të premten në mbrëmje, Kryeministri socialist, Edi Rama, në një fjalim televiziv, deklaroi se mazhoranca do të jetë gjithnjë në dispozicion të dialogut me opozitën, por jo për të biseduar ndërprerjen e një mandati legjitim për të qeverisur.
“Votuesit do të gjykojnë me votën e tyre, qoftë në ato administrative të qershorit, qoftë në ato politike në vitin 2021”, theksoi Rama.
Nga ana tjetër, Lulzim Basha tha se “opozita ka dorëzuar mandatet. Sot jemi qytetarë të thjeshtë. Ne nuk jemi një popull i dhunës, por respektojmë lirinë dhe demokracinë, si dhe nuk do e pranojmë kurrë vjedhjen e votës popullore dhe të qindra milionë taksave të shqiptarëve”.
BE: Të manifestohet paqësisht
Bashkimi Europian rithekson të drejtën e qytetarëve shqiptarë për të manifestuar paqësisht dhe dënon çdo retorikë të liderëve politikë që nxisin dhunën. Për Brukselin, vendimi i opozitës për të dorëzuar mandatet pengon seriozisht funksionimin e demokracisë në Shqipëri.
“Qeveria dhe opozita duhet të angazhohen në bisedime për të kaluar situatën aktuale në interes të Shqipërisë dhe të qytetarëve të saj”, thekson BE-ja.
Imzot Fredo: Situatë tragjike, dialogu është rruga e vetme
I marrë në intervistë nga Luca Collodi nga Radio Vatikani, kryepeshkopi i Tiranës dhe Durrësit, imzot George Fredo, thekson se është e nevojshme të ndërmerret rruga e dialogut, e vetmja rrugë për një zgjidhje të drejtë.
Situata është tragjike, në fakt mungon dialogu mes partive politike. Ndoshta pak a shumë për fajin e të gjithëve. Për një dialog duhet vullnet i mirë, mbi të gjitha vullneti për të dëgjuar. Si dhe vullneti për të dëgjuar nënkupton edhe gatishmërinë për përulje. Nuk duhet të bëhet një karikaturë e dialogut dhe politikanët duhet të kërkojnë këtë dialog që është rruga e vetme për një zgjidhje të drejtë, rruga e vetme. Duhet të ketë një dëgjim të vërtetë. Nuk është aspak një kompromis i thjeshtë.
Vajtja në votim në Shqipëri mund të jetë zgjidhja e duhur?
Ndoshta po, por jo vetëm kaq. Kjo nuk është hera e vetme që janë shfaqur situata tensioni në Shqipëri. Për këtë arsye, nga ana e partive politike, politikanëve është e nevojshme që të ketë më shumë ndjesi për të mirën e përbashkët. E mira e përbashkët kërkon edhe një farë sakrifice nga ana e të gjithëve.
A ju kanë kërkuar të bëni ndonjë ndërmjetësim si kishë?
Jo, jo… Është e vështirë që të thërritet një person fetar për të bërë ndërmjetësin. Unë nuk dua as të bëjë politikanin. Unë jam një pastor. Mund të jap ndonjë këshillë, sikurse kam folur kundër dhunës dhe vandalizmit dhe në favor të dialogut. Por, e kam përsëritur shpesh herë, politika mund të ndryshojë strukturat, por vetëm besimi ndryshon zemrat.
Të hënën e ardhshme, kardinali i Shtetit, sekretari Parolin, do të jetë për vizitë në Shqipëri…
Kjo do të jetë vizita e tij e dytë. Ka qenë në vitin 2014 bashkë me Papa Françeskun, kur erdhi në Shqipëri. Në këtë rast, motivi është bekimi i gurit të parë në spitalin që do të hapin të ashtuquajturit “padri concezionisti”. I jemi mirënjohës “padri concezionisti” sepse kanë qenë ata që kanë hapur universitetin katolik dhe janë sërish ata, tani, qo do të hapin këtë spital. Si universiteti, si spitali frymëzohen nga parimet katolike, të krishtera, dhe në fakt brenda universitetit ka më shumë jo katolikë se sa katolikë. Pra edhe universiteti është një provë e kësaj harmonie fetare që është tipike e Shqipërisë. Kështu edhe spitali është i hapur për të gjithë, pavarësisht besimit.