Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos, ka kaluar me sukses një ndërhyrje kirurgjikale, ndërhyrje e cila është kryer në një spital privat në Tiranë.
Lajmin e njoftoi pasditen e së shtunës Kryepeshkopata me një deklaratë në faqen e saj zyrtare.
Ajo zbuloi se kleriku ishte shtruar në spital që të premten, datë 26 qershor, pas disa shqetësimeve kardiake.
Pas analizave, kishte rezultuar se ai kishte “stenozë të arteries së zemrës” dhe ishte e detyrueshme ndërhyrja kirurgjikale, ndërhyrje e cila “është kryer brenda ditës me shumë sukses”.
“Mjekët kanë njoftuar se brenda dy ditësh ai do të jetë në gjendje të kthehet në Kryepeshkopatë,” – thuhet në njoftimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Stenoza, ose thënë ndryshe ngushtim i arteries, ndodh kryesisht për shkak të aterosklerozës, një proces që përgjithësisht i faturohet plakjes, por që vjen si pasojë e hipertensionit, nivelit të lartë të kolesterolit në gjak apo dhe diabetit.
Janullatos është 91 vjeç dhe prej vitit 1992 drejton Kryepeshkopatën, periudhë që përkon me lejimin sërish të besimit në Zot përmes fesë në Shqipëri, besim që ishte ndaluar me ligj nga diktatura komuniste prej vitit 1967.