Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela raportoi në Kuvend punën e institucionit që drejton për vitin 2023, ndërsa theksin e vendosi sërish tek vakancat e prokurorëve.
Sipas tij, ka një mungesë të prokurorëve me 38%.
“Përgjatë vitit 2023 në të gjithë nivelet e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm ka vijuar krijimi i vakancave të përkohshme dhe të përhershme deri në 38% të prokurorëve. Megjithë problemet e krijuara nga këto mungesa të theksuara në organikë, prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm kanë ushtruar me përgjegjësi kompetencat bazuar në kuadrin ligjor në fuqi, rekomandimet e institucioneve kushtetuese dhe ndërkombëtare, si dhe në prioritetet e shtetit shqiptar që rrjedhin nga procesi i integrimit në Bashkimin Europian”, tha Çela.
Kryeprokurori tha se “gjatë vitit 2023, janë trajtuar 55253 materiale kallëzuese që përbën një ulje prej 9,4% në krahasim me vitin 2022. Janë ndjekur gjithsej 45715 procedime penale, nga të cilat 24095 janë procedime penale të regjistruara, dhe janë mbartur 21011 procedime penale. Numri më i madh i procedimeve penale të regjistruara rezulton në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë me Juridiksion të Përgjithshëm Tiranë me 35,12% të numrit total të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi; në fund janë prokuroritë Kukës 2,37%; Dibër 2,31%,të numrit total të procedimeve penale të regjistruara në shkallë vendi”.