Ngjarjet kriminale të ndodhura kohët e fundit në qytetin e Elbasanit për Kryeprokurorin Olsian Çela janë vetëm maja e asjbergut, e për të kjo është e patolerueshme. Pikërisht nga ky qytet, Çela deklaroi këtë të hënë se asnjë grup kriminal nuk mund të jetë më i fortë se shteti. Ai tha se Elbasani, apo çdo qytet tjetër nuk mund të kthehet të kthehet në një skenë lufte mes bandave për kontroll territori.
“Nuk mundet që të tolerohet që në një qytet të kthehet në skenë të luftës mes bandave për kontrolle territori apo për shtimin e influencës. Këto janë ngjarje të cilat në fakt ndoshta janë vetëm maja e ajsbergut të asaj që çfarë ndodh realisht në qytetin e Elbasanit, apo edhe më gjerë. As Elbasani dhe as një qytet tjetër i Shqipërisë, nuk mund të kthehet në kontroll të grupeve kriminale. Kjo nuk mund të lejohet, asnjë grup kriminal nuk mund të jetë më i fortë sesa shteti. Për këtë arsye, unë vlerësoj dhe gjykoj se është e domosdoshme që si nga policia ashtu edhe nga prokuroria, niveli i bashkëpunimit, i organizimit të ngrihet në nivele të tjera”.
Çela tha se përgjigja për situatën kriminale një Elbasan, kërkon një qasje tjetër.
“Ne nuk do të shpikim rrotën, kemi eksperienca shumë pozitive sesi janë përballur institucionet ligjzbatuese shqiptare me krimin e organizuar shumë vite përpara dhe kanë pasur sukses. Nuk na mungojnë as njerëzit e aftë, as kurajo e as mjetet që na duhen për të luftuar krimin. Duhet thënë se ka nevojë për një qasje tjetër, në raport me atë çfarë po ndodh këtu. Përgjigja për situatën që po ndodh në Elbasan nuk mund të jetë përgjegjësi vetëm e Prokurorisë dhe Policisë së Elbasanit. Ka struktura të tjera të specializuara të cilat kanë nevojë të fshihen në hetimet që po bëhen në rrethin e Elbasanit. Për këtë arsye unë e vlerësoj shumë të rëndësishme që hetimet të Prokurorisë dhe Policisë së Elbasanit të koordinohen me struktura të tjera të specializuara në nivel qendror, të koordinohet puna me Prokurorinë e Posaçme për të vlerësuar të gjitha elementët që lidhen me krimin e organizuar, për t’i dhënë një përgjigje sa më të shpejtë, situatës së krijuar këtu”.
Kryeprokurori tha se Elbasani nuk mund të kthehet në një model të Siçilisë së viteve ’70-’80.
“Ne po përballemi me një situatë aspak të zakonshme. Perspektiva e të rinjve të Elbasanit nuk mund të jetë ajo e rekrutimit nga bandat, që duan të kontrollojnë qytetin. Kjo është e pafalshme. Shqipëria, aq më tepër Elbasani, nuk mund të kthehet në një model të Siçilisë së viteve ’70-’80. Kjo duhet të mbahet mirë parasysh”.